"Mënyra e komunikimit të Gjykatës Speciale është shqetësuese dhe sjell shumë dyshime"

Kronika December 11, 2018 - 18:44
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i njohur si Komandant Remi, si dhe pjesëtari tjetër i këtij grupi, Nazif Mehmeti, i njohur si Komandant Dini, janë ndër të ftuarit e parë për intervistim pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Kosovë në Hagë.

Por, për ish-Shefin e Shtabit të Zonës Operative të Llapit, Nuredin Ibishin, problematike është mënyra e komunikimit të Gjykatës Speciale me ata që i ka ftuar për intervistim, qoftë në cilësinë e të dyshuarit, apo dëshmitarit.

LEXO EDHE: Rrecaj: Klienti im nuk e di as pse u ftua nga Gjykata Speciale

“Për mua është shqetësuese mënyra se si Gjykata Speciale po komunikon me të ftuarit që nuk dihet nëse janë dëshmitarë apo të dyshuar, ashtu edhe me opinionin publik”.

“Kjo më shqetëson mua, sepse edhe me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është paraparë që të kenë zyrën edhe në Kosovë edhe jashtë Kosovës, prandaj duhet të ketë komunikim”.

“Nuk e dëgjova asnjë komunikim të Gjykatës Speciale”.

“Së paku është dashur të jetë komunikim zyrtar i zyrtarëve të Gjykatës Speciale. Përveç ftesës më shkrim bëhet edhe një kumtesë që të njoftohet opinioni”.

“Kjo formë e të komunikuarit krijon shqetësim”.

Madje, Ibishi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se mënyra e komunikimit e Gjykatës Speciale me të ftuarit lë vend edhe për dyshime.

“Kjo procedurë më sjell shumë dyshime: a është reale kjo çfarë po bëjnë? Të intervistuarit ftohen në telefon dhe më pas të ftuarit e autorizojnë avokatin”.

Ish-shefi i shtabit të Zonës Operative të Llapit ka thënë se pas ftesës së Gjykatës Speciale për intervistim, ai ka komunikuar me Rrustem Mustafën dhe Nazif Mehmetin.

“Nuk janë shfaqur absolutisht të shqetësuar. Kanë autorizuar avokatin dhe janë në procedurë”.