Gjykata vendos ndaj kërcënuesit të gazetarit, gazetari nuk ftohet fare në gjykim

Kronika December 11, 2018 - 10:58
Lexo Detajet

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar zyrtarin e prokurimit në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Zenel Kuqi me 200 euro gjobë, pasi më 8 qershor të këtij viti, kishte kanosur gazetarin Vitija përmes telefonit lidhur me një shkrim që kishte publikuar në portalin “Shneta”, njofton Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një komunikate.

Për këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)

AGK konsideron se dënimet simbolike minimale reflektojnë negativisht në ambientin e të bërit gazetari dhe inkurajojnë sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.   

Gazetari Bujar Vitia ka bërë të ditur se nuk është ftuar për të marr pjesë në asnjë seancë gjyqësore. AGK kërkon nga institucionet gjyqësore që t'i ftojnë gazetarët  për t'i dëgjuar versionet e tyre lidhur me kontestet që kanë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës rithekson kërkesën ndaj institucioneve të rendit dhe të drejtësisë për trajtimin me prioritet të rasteve ndaj gazetarëve, për shkak të misionit të tyre në funksion të informimit dhe mbrojtjes së interesit publik. AGK po ashtu kërkon që sulmuesit dhe kërcënuesit e  gazetarëve të marrin dënim të merituar, me qëllim të parandalimit të akteve të tilla dhe krijimit të një ambienti të sigurt veprimi për gazetarët.