Drejtori teknik në Prizren dyshohet ta ketë sulmuar zyrtarin e prokurimit

Kronika December 03, 2018 - 19:39
Lexo Detajet

Drejtori teknik në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, me inicialet L.P. dyshohet të ketë sulmuar sot zyrtarin e prokurimit të këtij ujësjellësi, Gj. K..

Siç mëson Insajderi, rasti ka ndodhur sot rreth orës 10:30 në ambientet e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.

Por, sipas Policisë së Kosovës të përfshirë në përleshje kanë qenë të dy personat, të cilët tashmë dyshohen për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”. Rreshteri i Policisë së Kosovës nga rajoni i Policisë në Prizren, Vesel Gashi, ka thënë se të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

“Lidhur me këtë rast, Policia i ka marrë të gjitha veprimet konfrom ligjit; gjithnjë në bashkëpunim dhe në konsultim me prokuroin e Shtetit. Në lidhje me këtë rast, në konsultim me prokurorin e Shtetit, e kemi cilësuar si rast me lëndime të lehta trupore”, ka thënë rreshteri Gashi.

Policia në Prizren ka theksuar se sipas informacioneve të para që ka marrë Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, bëhet fjalë për një zënkë të çastit.

“Në raportet e para, thuhet se ka qenë një zënkë e çastit dhe aty për aty [ka ardhur përleshja, v.j]. Në bazë të asaj se çfarë është gjetur deri më tani, për hetuesit dhe për policinë janë të dyshimtë të dytë”, ka thënë Vesel Gashi nga Policia e Kosovës.

Mediumi ka siguruar edhe raportin mjekësor të Gj.K., zyrtarit të prokurimit në Ujësjellësin “Hidroregjioni Jugor”, i cili pretendon të jetë viktimë nga përleshja.