Lansohet fushata 'Të sigurt në rrugë gjatë dimrit', gjobat nga 40 deri në 150 euro

Kronika December 03, 2018 - 14:20
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Ministria e Infrastrukturës përkatësisht Departamenti Koordinues i Këshillit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor, në partneritet me Policinë e Kosovës dhe Auto Moto Club Kosova (AMCK) lansuan sot fushatën “ Të sigurt në rrugë gjatë dimrit”, raporton “Zëri.info”.

Idriz Selimaj, zëvendësministër i Infrastrukturës gjatë fushatës tha se qëllimi i tyre është që të ndërgjegjësojnë shoferët që të jenë të përgatitur gjatë sezonës dimërore në mënyrë që të manifestohen sa më pak aksidente në rrugë.

“Siç e dini sezona dimërore fillon 15 nëntor deri 15 mars dhe gjatë gjithë kësaj kohe shoferët duhet të jenë të përgatitur me pajisje dimërore përfshirë gomat e dimrit, zinxhirët dhe pajisje tjera. Do të shpërndahen fletushka në të gjitha kontrollet teknike në nivel vendi. Policia e Kosovës përmes patrullave të tyre në trafikun rrugor do t’i shpërndajë gjithashtu dhe Auto Klub Moto Kosova do t’i shpërndajë në pikat e saj. Me këtë po besojmë që ne do të ndërgjegjësojmë aq sa mundemi që të gjithë shoferët gjatë kohës së dimrit të jenë të përgatitur për kalimin e kësaj sezone, respektivisht të ngritet siguria e përgjithshme.”

Gjobat nga 40 deri në 150 euro

Në anën tjetër Jeton Rexhepi, drejtor i drejtorisë për preventiv në trafikun rrugor u bëri thirrje shoferëve që të kenë kujdes të shtuar dhe të marrin të gjitha masat për përgatitjen e automjeteve për sezonin dimëror. Ai tha se gjobat për shoferët e papërgatitur do të sillen nga 40 deri në 150 euro, raporton tutje “Zëri.info”.

“Gjoba për shoferë të cilët nuk janë të përgatitur sa i përket pajisjeve dimërore është 40 euro ndërsa për përgjegjësit e institucioneve apo kompanive të ndryshme është 150 euro ndëshkim ndaj përgjegjësve që lejojnë  automjetet e kompanive të dalin në rrugë pa pajisje dimërore.”

Rexhepi ka theksuar se përgatitjet janë të domosdoshme në mënyrë që t’u ikim aksidenteve në trafikun rrugor.

“Vitin e kaluar  gjatë sezonës dimërore kishim diku 40 persona që kanë humbur jetën në aksidente , andaj kërkojmë prej të gjithë shoferëve që të ndërmarrin të gjitha masat që ata të përgatitin automjetin e tyre  për të dalë në rrugë gjatë sezonit dimëror, duke ndërruar gomat  nga ato të verës në goma të dimrit dhe automjeti i tyre të jetë i sigurt për vetveten po ashtu edhe për pjesëmarrësit tjerë në trafikun rrugor. Bazuar në gjendjen e sigurisë në trafikun rrugor për periudhën janar-nëntor të këtij viti numri i aksidenteve me fatalitet  ka shënuar rënie, kemi 10 persona më pak se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, po ashtu edhe numri i aksidenteve në përgjithësi dhe numri i aksidenteve me lëndime ka shënuar rënie në këtë periudhë,” ka thënë Rexhepi. /ZERI

Image

Image

Image