Fisnik Ismaili në gjyq për lotsjellës, seanca nuk mbahet

Kronika December 03, 2018 - 10:21
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Deputeti i Partisë Social Demokrate, Fisnik Ismaili, është paraqitur sot në sallën e gjyqit për t’u përgjigjur rreth akuzës për posedim të gazit lotsjellës në ndërtesën e Kuvendit para tri viteve, por seanca nuk u mbajt për shkak të mungesë së përfaqësuesit të palës së dëmtuar- Kuvendit të Kosovës.

Ismaili akuzohet për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve.

Të pranishëm në sallën e gjykimit ishin kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli si dhe antarët Naime Kransniqi – Jashanica dhe Valbona  Musliu -Selimaj si dhe prokurori i shtetit  Ilaz Beqiri.

Trupi gjykues vendosi që seancën e sotme ta shtyjë për një ditë tjetër meqë nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e saj.

Seanca e radhës do të mbahet 10 janar 2019.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Fisnik Ismaili, që atëherë ishte deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, pa autorizim ka poseduar armë dhe më 30.11.2015 rreth orës 10:45 gjatë një kontrolli nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në hollin e Kuvendit, atij i shin gjetur dhe sekuestruar dy bombola me gaz lotsjellës të cilat i kishte fshehur ne këpucë.

Aktakuza thotë se Ismaili kishte qëllim që këto bombola t’i fusë në sallën plenare të Kuvendit.

Në disa raste gjatë viteve 2015 e 2016, deputetët e opozitës kanë hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit si veprim për të kundërshtuar marrëveshjet e qeverisë së Kosovës me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.