Mbi një mijë viktima të dhunës në familje për dhjetë muaj

Kronika December 03, 2018 - 08:31
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Shkruan: Edina Avdiu

Që nga janari deri në tetor të këtij viti në Policinë e Kosovës janë raportuar mbi një mijë raste të dhunës në familje. Ndërkohë që në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, si dhe sociologë vlerësojnë se numri i viktimave të dhunës në familje është edhe më i madh, por sipas tyre jo të gjitha rastet paraqiten në Polici. Sipas tyre, shkaktari kryesor për numrin e madh të rasteve të dhunës në familje është gjendja e rëndë ekonomike.

Zyra për Informim në Policinë e Kosovës për gazetën “Zëri” ka thënë se numri më i madh i viktimave të dhunës në familje i takon gjinisë femërore. “Nga janari janë raportuar 1.128 raste të dhunës në familje, ku nga to numri i viktimave femra është 901”, kanë thënë ata.

Kurse në të njëjtën periudhë kohore në vitin e kaluar, duke u bazuar në statistikat e Policisë së Kosovës, janë evidentuar 1271 raste të dhunës në familje.

Policia ka theksuar se në nivelin qendror dhe në nivel lokal (drejtori rajonale ose stacione policore) ekzistojnë zyrtarë policorë të trajnuar, të cilët merrem vetëm me raste të dhunës në familje dhe hetim të rasteve të tilla. “Arrestimi i personave të dyshuar në raste të tilla të dhunës familjare bëhet çdoherë kur ka baza ligjore dhe njëkohësisht punohet në mbledhjen e fakteve dhe dëshmive lidhur me veprën penale, në mënyrë që i dyshuari ta marrë dënimin e merituar nga autoritetet vendimmarrëse të drejtësisë, respektivisht gjykatat”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e Policisë.

Shala: Shumë raste të dhunës në familje nuk raportohen

Kreu i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se shumë raste të dhunës në familje po mbesin të paraportuara.

“Viktimat e dhunës nuk i raportojnë rastet në Polici për shkaqe të ndryshme dhe kështu që shumë raste mbesin të paraportuara dhe ka raste kur për shkak të neglizhencës përfundojnë edhe me fatalitet”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se ndonëse po ka reagime rreth këtij fenomeni, ende nuk po ulet numri i rasteve të dhunës në familje.

“Çdo dhunë është shkelje e të drejtave të njeriut, mirëpo mbrojtja nuk bëhet as me deklarata, as me komunikata, por të drejtat e njeriut mbrohen me ligj”, ka thënë Shala.

Faktori ekonomik, shkaktari kryesor i dhunës në familje

Sociologu Genc Xërxa ka thënë për “Zërin” se shkaktari kryesor për numrin e madh të rasteve të dhunës në familje është gjendja e rëndë ekonomike. “Kjo dukuri te ne lidhet me kontekstin kulturo-social, i cili është shumë i sforcuar nga gjendja e rëndë ekonomike në vend. Shumë individë duke mos arritur t’i përmbushin detyrimet ndaj vetes dhe familjes shpesh gjejnë rrugën më të gabuar të mundshme, ashtu që zhgënjimet e tyre jetësore t’i përmbushin me ushtrimin e dhunës ndaj atyre që ndihen më të dobët”, ka sqaruar ai.

Xërxa ka bërë të ditur se dhuna në familje lë pasoja edhe te fëmijët, të cilët siç ka thënë ai në një të ardhme mund të bëhen edhe vetë dhunues.

“Nëse rritesh ose edukohesh në një frymë të tillë ku i je ekspozuar dhunës, qoftë psikike ose fizike, nga kujdestari i familjes vetëm pse ai/ajo mundet ose e ndjen veten më të fortë ndaj të vegjëlve ose të brishtëve, atëherë është rreziku se fëmija ta marrë këtë fenomen si të tillë ose ‘të drejtë’ dhe në të ardhmen mund edhe vetë të jetë dhunues i ardhshëm në familjen e tij si rrjedhojë e përjetimeve ‘edukuese’ të tilla në fëmijëri”, ka vlerësuar ai.

Loxha: Shqetësues mosraportimi i rasteve të dhunës

Alba Loxha, menaxhere e financave në organizatën joqeveritare Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RRGGK), ka thënë se dhuna nuk duhet të tolerohet nga askush.

“Ne duhet ta ritheksojmë se pa marrë parasysh se çfarë ne mund të mendojmë se janë shkaktarë të dhunës, ajo nuk duhet të tolerohet dhe të minimizohet. Nuk ka asnjë arsyetim për ushtrim të dhunës”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Po ashtu ajo ka thënë se është shqetësues fakti se gratë vazhdojnë të jenë viktima të dhunës dhe të mos raportojnë rastin në Polici.

“Nga të dhënat e institucioneve vendore, diku mbi 80% e rasteve të dhunës në familje të raportuara janë gra dhe vajza. Pjesa tjetër prek të moshuarit dhe fëmijët. Në shoqërinë tonë dhuna në familje ende konsiderohet si çështje private dhe se të tjerët nuk duhet të reagojnë, që është gabim, sepse duke e raportuar dhunën aty ku ne e dëshmojmë i krijojmë mundësi një viktime të bëhemi zëri i saj, por edhe ndoshta mund të shpëtojmë jetën e dikujt”, ka theksuar ajo.

Ndërsa sipas një ankete që ka bërë organizata Rrjeti i Grave të Kosovës në vitin 2015 lidhur me shkaqet e dhunës në familje, ku janë anketuar 1.300 qytetarë, ndër arsyet më të shpeshta të dhunës ishin: gjendja e rëndë ekonomike dhe papunësia, mungesa e arsimimit, martesat kundër vullnetit të tyre, pastaj konsumimi i alkoolit, i drogës, tradhtia e xhelozia. /ZERI