25 të vdekur vetëm këtë vit në QKUK nga aksidentet

Kronika December 01, 2018 - 15:22
Lexo detajet

Pavarësisht numrit të madh të të vdekurve nga aksidentet të paraqitura në raportin e Policisë, drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Basri Lenjani, ka thënë që nga numri i përgjithshëm i të vdekurve në aksidente vetëm 25 prej tyre kanë ndërruar jetë gjatë trajtimit në QKUK, shkruan gazeta “Zëri”

“Për vitin 2016 kemi 16 vdekje. Për vitin 2017 kemi 17 vdekje dhe për vitin 2018 janë 29 vdekje, domethënë për vdekjet që kanë ndodhur vetëm në shërbimin tonë”, ka thënë Lenjani për “Zërin”.

Megjithatë ky numër sipas tij nuk është enorm nëse Kosova krahasohet me vendet tjera përreth.

“Kemi numër më të madh të lëndimeve në aksidente, por nuk kemi numër enorm të vdekjeve. Edhe sipas raportit të Policisë është një numër më i vogël në rritjet. Mbi të gjitha këto janë personat e moshave 18-40 vjeç. Ne qëndrojmë më mirë se Serbia, se Maqedonia, se Serbia, se Kroacia në gjendjen e aksidenteve në komunikacion”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër përveç numrit të lartë të të vdekurve në aksidente shumë persona mbesin edhe të lënduar. Drejtori i Emergjencës bën të ditur që për 10 muaj në këtë klinikë janë trajtuar mbi 3900 persona, të cilët kanë mbetur të lënduar në aksidente.

“Në periudhën janar - tetor i kemi përafërsisht 3900 të lënduar nga aksidentet”, ka përfunduar ai, duke apeluar që të gjithë vozitësit duhet të kenë kujdes në komunikacion fillimisht duke respektuar veten e pastaj edhe të tjerët.  /ZERI