Aksidentet përgjakin rrugët e Kosovës, 107 të vdekur për 11 muaj

Kronika December 01, 2018 - 08:36
Lexo tjera detaje
Image

Për 11 muaj në Kosovë nga aksidentet në trafik kanë humbur jetën 107 persona, si dhe kanë mbetur të lënduar shumë të tjerë. Vlerësohet që mosangazhimi i duhur nga institucionet përgjegjëse është njëri ndër faktorët që ka ndikuar në rritjen e aksidenteve me fatalitet, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Dhjetë persona kanë humbur jetën vetëm gjatë muajit të kaluar (nëntor) në aksidente të ndryshme trafiku në vend. Ndërsa nga janari deri në tetor të këtij viti 97 veta kanë humbur jetën në aksidente të tilla në Kosovë.

Numri i madh i aksidenteve me fatalitet ka shqetësuar zyrtarët në Ministrinë e Infrastrukturës, të cilët kanë apeluar për kujdes më të shtuar në trafik. Ata kanë bërë të ditur që janë duke punuar në ndërmarrjen e masave të nevojshme për sigurinë në trafik, si dhe për menaxhimin e rrugëve.

Në anën tjetër ndonëse në Kosovë ndodhin aksidente çdo ditë me të lënduar e të vdekur, zyrtarë nga Klinika e Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) statistikat e aksidenteve nuk i kanë cilësuar shifra enorme. Ndërsa njohësit e çështjes së sigurisë kanë përmendur disa nga masat që duhet të ndërmarrin institucionet për zvogëlimin e numrit të aksidenteve e ku kanë veçuar rivlerësimin e shoferëve të cilët kanë dhjetë pikë negative, shkruan Gazeta "Zëri".

Lekaj: Jemi të shqetësuar me aksidentet e fundit

Pas aksidenteve të fundit në Kosovë ministri i Infrastrukturës në një prononcim për “Zërin” ka deklaruar që kjo Ministri është e angazhuar maksimalisht për rritjen e sigurisë në trafik. “Ministria e Infrastrukturës është e angazhuar maksimalisht për rritjen e sigurisë në komunikacion. Në kuadër të këtij misioni, unë kam themeluar fillimisht task -forcën për sigurinë në trafikun rrugor, pjesëtarë të së cilës janë ekspertë të fushave relevante dhe janë në përpilim të raportit të detajuar me të dhënat nga terreni për shkaktarët e aksidenteve, sidomos në zonat ku ato janë përsëritur disa herë”, ka thënë ministri.

LEXO EDHE: Qeveria nuk i njeh dorëheqjet e kryetarëve nga veriu

Lekaj ka bërë të ditur që shumë shpejt do të fillojë implementimi i Sistemit Inteligjent të Transportit (ITS) përmes të cilit do të bëhet menaxhimi i rrugëve. “Unë kam themeluar edhe Këshillin Ndërministror të Sigurisë në Trafikun Rrugor, pjesë e së cilës është edhe Policia. Ne kemi mbajtur tashmë dy takime dhe shumë të tjera do të vijnë në vazhdim, prej të cilave do të dalin edhe vendime të rëndësishme. Shumë shpejt do të fillojë edhe implementimi i Sistemit Inteligjent të Transportit (ITS), për të cilin nënshkrova marrëveshje bashkëpunimi me kompani hungareze javën e kaluar dhe përmes së cilës bëhet menaxhimi i sigurt i rrugëve”, ka deklaruar tutje ai.

Në anën tjetër Lekaj ka edhe një apel për qytetarët e Kosovës. “Nuk ndalemi me kaq, sepse jemi të shqetësuar, veçanërisht pas dy aksidenteve të fundit. Familjarëve u shpreh ngushëllime të sinqerta dhe lus vozitësit për vozitje të kujdesshme dhe në respektim të rregullave të komunikacionit”, ka përfunduar ai.

25 të vdekur vetëm këtë vit në QKUK nga aksidentet

Pavarësisht numrit të madh të të vdekurve nga aksidentet të paraqitura në raportin e Policisë, drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Basri Lenjani, ka thënë që nga numri i përgjithshëm i të vdekurve në aksidente vetëm 25 prej tyre kanë ndërruar jetë gjatë trajtimit në QKUK.

“Për vitin 2016 kemi 16 vdekje. Për vitin 2017 kemi 17 vdekje dhe për vitin 2018 janë 29 vdekje, domethënë për vdekjet që kanë ndodhur vetëm në shërbimin tonë”, ka thënë Lenjani për “Zërin”.

Megjithatë ky numër sipas tij nuk është enorm nëse Kosova krahasohet me vendet tjera përreth. “Kemi numër më të madh të lëndimeve në aksidente, por nuk kemi numër enorm të vdekjeve. Edhe sipas raportit të Policisë është një numër më i vogël në rritjet. Mbi të gjitha këto janë personat e moshave 18-40 vjeç. Ne qëndrojmë më mirë se Serbia, se Maqedonia, se Serbia, se Kroacia në gjendjen e aksidenteve në komunikacion”, ka deklaruar ai.

Në anën tjetër përveç numrit të lartë të të vdekurve në aksidente shumë persona mbesin edhe të lënduar. Drejtori i Emergjencës bën të ditur që për 10 muaj në këtë klinikë janë trajtuar mbi 3900 persona, të cilët kanë mbetur të lënduar në aksidente. “Në periudhën janar - tetor i kemi përafërsisht 3900 të lënduar nga aksidentet”, ka përfunduar ai, duke apeluar që të gjithë vozitësit duhet të kenë kujdes në komunikacion fillimisht duke respektuar veten e pastaj edhe të tjerët. 

Kërkohet rivlerësimi i shoferëve që kanë arritur 10 pikë negative

Eksperti i çështjeve të sigurisë Drizan Shala në një bisedë për “Zërin” ka përmendur disa nga faktorët kyçë që po ndikojnë në numrin e madh të aksidenteve, duke veçuar kështu mosrespektimin e shenjave të komunikacionit. “Në masën më të madhe për shtimin e aksidenteve në rrugët e Kosovës mund të veçohen këto pika: mosrespektim i shenjave të komunikacionit (ligjeve mbi komunikacionin), mospërmbushja e normave ligjore të kontrollimeve teknike të automjeteve, ndikimi i alkoolit dhe i substancave narkotike, mungesa adekuate e infrastrukturës rrugore ( sinjalistika, ndriçimi i rrugëve etj)”, ka thënë Shala.

Në anën tjetër ai ka përmendur edhe disa elemente që duhet të shtohen me qëllim të parandalimit të aksidenteve. “Elementet që duhet të shtohen në parandalimin e aksidenteve janë si në vijim: shtimi i radarëve fotografikë statikë (blicat) në rrugët më të frekuentuara, vendosja e radarëve fotografikë lëvizës në vetura civile, zbatueshmëria e ligjeve aktuale nga ana e PK-së në aspektin operativ mbi sigurinë në komunikacion, rivlerësimi i shoferëve që arrijnë 10 pikë negative në komunikacion, rimodelimi i vlerësimit të kontrolleve teknike në tërë RKS-në”, ka përfunduar ai.

Ndërsa për Nol Dedajn, njohës i çështjeve të sigurisë, numri i aksidenteve nuk do të zvogëlohet derisa institucionet të merren me shkaktarët e aksidenteve në komunikacion.  “Numri i aksidenteve nuk do të zvogëlohet derisa institucionet e Kosovës nuk do të merren me hulumtimin e shkaktarëve të aksidenteve dhe marrjen e masave preventive. Në situatën që jemi siguria rrugore është aq e brishtë sa aksidentet nuk do të ndalen, por vetëm se do të rritet numri i tyre. Jemi në sezonin ku temperaturat ulen dhe rrugët janë të lagura, si dhe shpejtësia e madhe e lëvizjes së automjeteve”, ka thënë Dedaj./ZËRI