Fqinjët flasin për 'hajnin' e vrarë

Kronika November 29, 2018 - 17:51
Lexo detajet

Fqinjët e Kujtim Krasniqit që u vra në Veternik kanë thënë se janë çuditur kur kanë marrë vesh për lajmin, duke u deklaruar se e njohin 42-vjeçarin si djalë të mirë. Express gjatë ditës ka qëndruar në fshatin Makovc të Prishtinës dhe ka marrë rrëfimin e familjes

Fshatit Makovc të komunës së Prishtinës gjatë ditës së enjte ia kishin mësyrë dhjetëra persona. Të gjithë po shkonin për ta ngushëlluar familjen e Kujtim Krasniqit.

Ai u vra të martën mbrëma derisa dyshohet se kishte hyrë për të vjedhur në një shtëpi në lagjen “Halim Bardhoshi” në Veternik.

Familjarët të tronditur nga rasti nuk ishin në gjendje të flisnin shumë fjalë për Kujtimin.

42-vjeçari kishte dy vite që ishte kthyer nga Spanja dhe askush nuk ka informacione se çka ka punuar aty, ndërkaq në fshat ai kishte hapur një bastore.

Mirëpo, në këtë fshat Kujtimi kujtohet ndryshe. Fqinjët kanë fjalë të mira për të.

“Që dy vite ka ardh nga Spanja, djalë i mirë, unë kështu veç e kam përshëndet por nuk di najsen ma shumë. Nuk kemi pas asnjëherë problem dhe nuk kemi pas ide që merret me kësi punë”, tha një nga banorët e fshatit në kushte anonimiteti.

Ndërkaq, të tjerë thonë se është shqetësuese kjo që ka ndodhur duke u frikësuar se njësoj mund të ju ndodhë edhe atyre.

Më së shumti drojë kanë ata fshatarë që merren me biznes. Megjithëse, edhe në Makovc edhe në fshatrat fqinje thonë se disa herë qenë cak i hajnave, nuk e dinë se a mund të ketë qenë ndonjëherë Kujtimi i përfshirë në to.

“Po, na kanë vjedhë disa herë, por nuk e dimë kush është i përfshirë në to, disa herë i kemi zënë derisa kanë tentu me na thy derën e dyqanit”, tha njëri nga pronarët e një biznesi në këtë fshat.

42-vjeçari ka lënë prapa gruan dhe fëmijët.