Shteti serb merr në mbrojtje Radojicicin, të dyshuarin për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit

Kronika November 28, 2018 - 16:41
Detajet

Drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyra për Kosovën' në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i ka dalë në mbrojtje ,Milan Radojicicit, i cili po kërkohet nga Policia e Kosovës si i dyshuar për lidhje me rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, shkruan Gazeta Express.

Gjuriq ka thënë se Radojicic nuk është fajtor për vrasjen dhe as për organizimin e saj, pasi sipas tij këtë e ka treguar testimi që i është bërë Radojicicit me poligraf.

Sipas politikanit serb, Prishtina ka dështuar të fajësojë Beogradin dhe Serbinë për këtë vrasje.

“Policia e Serbisë ka bërë ekzaminimet nga ekspertët më të mirë. Ai ka kaluar testin e poligrafit, dhe është gjetur që ai nuk është organizator i atij krimi”, ka thënë Gjuriq në një konferencë për media, shkruan 'politiko.rs', transmeton Gazeta Express.

Sipas Gjuriqit fajësimi i Radjoicicit për këtë vrasje po bëhet me qëllim që ai të largohet nga veriu i Mitrovicës si njëri prej njerëzve më të fuqishëm  që e kundërshton Prishtinën.

Radojicic një natë para organizimit të aksionit të forcave speciale të Policisë së Kosovës ishte larguar për në Beograd.

Ndërkohë gjatë atij aksioni mbetën katër persona të arrestuar, tre nga të cilët të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit