Dështon Komisioni për turqit e dëbuar, nuk shkojnë të dëshmojnë Thaçi e Haradinaj

Kronika November 26, 2018 - 18:18
Lexo Detajet

Asgjë e re nuk arriti të mësohej sot lidhur me rastin e dëbimit të dhunshëm të gjashtë shtetasve turq. Gjithë kjo, pasi që mbledhja e komisionit dështoi, në mungesë të dy krerëve të shtetit, të cilët nuk u paraqitën në komision për të raportuar. Presidenti Thaçi nuk u paraqit, pasi që gjendet për vizitë në SHBA, ndërsa Kryeministri Haradinaj, mori pjesë në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Pejë. Ndërkohë, që komisioni ende nuk ka caktuar ndonjë ditë tjetër se kur ata do të ftohen për raportim, shkruan Gazeta Express.

Kanë kaluar më shumë se tetë muaj që prej se Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina u dëbuan dhunshëm nga territori i Republikës së Kosovës, me kërkesë të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Por, ndonëse kanë kaluar kaq muaj nga ky rast, ende nuk po dihet parapavija e asaj që ndodhi ditën e 29 marsit të këtij viti.

Që të zbardhet ky rast duket se nuk po bëjnë sa duhet as institucionet. Shumica e tyre po e zvarritin daljen para Komisionit Hetimor Parlamentar për të raportuar për informatat që kanë lidhur me deportimin e tyre.

Sot kur para komisionit do të duhej të raportonte  Presidenti Hashim Thaçi e Kryeministri Ramush Haradinaj, mbledhja dështoi. Gjithë kjo ngase asnjëri prej tyre nuk u paraqit para komisionit. Në mungesë të tyre, mbledhja u shty për një ditë tjetër.

Thaçi nuk u paraqit në komision pasi që gjendej në udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e Haradinaj nuk shkoi me arsyetimin se në të njëjtën kohë mbahet edhe mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Pejë. 

Përveç që nuk morën pjesë, anëtarë të komisionit u ankuan se ata as nuk i kishin informuar për mungesën e tyre.

Kryetari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla deklaroi se ata nuk janë njoftuar për mosardhjen e Presidentit. Derisa deklaroi se nga Zyra e Kryeministrit, kanë marrë një njoftim verbal për këtë çështje.

E se komisioni ka qenë i informuar se Kryeministri Haradinaj nuk do të marrë pjesë në mbledhje, e thotë edhe zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi.

Gashi  ka thënë se komisioni është njoftuar me kohë që i pari i ekzekutivit nuk do të marrë pjesë, pasi që në atë kohë mbahej edhe mbledhja e dy qeverive.

Por, se kur do të ftohen krerët e shtetit për të raportuar, nuk kanë vendosur as në komision.

Nënkryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, Driton Selmanaj ka thënë se ende nuk ka ndonjë datë kur ata do të ftohen për të raportuar.

“Nuk kemi caktuar asnjë datë kur Presidenti e Kryeministri do të ftohen për raportim. Nuk arritëm as ta nisim takimin për shkak të deputetëve të pozitës”, tha Selmanaj.

E ndonëse nuk është caktuar dita kur krerët e shtetit do të ftohen për raporti, merr vesh nga burime brenda komisionit se më 5 dhjetor për raportim para komisionit do të ftohet ish-Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, i cili ishte shkarkuar nga Haradinaj.

Ndërkohë, për dëbimin e dhunshëm të gjashtë shtetasve turq, deri tani para komisionit hetimor kanë raportuar krerët e institucioneve që ishin të përfshira në këtë rast, si: Drejtoresha e Inspektoratit të Policisë, Miradije Kelmendi, ish-shefi i Policisë, Shpend Maxhuni, Ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi dhe së fundmi Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Lekaj gjatë raportimit të tij tha se paraprakisht nuk kishte dijeni për dëbimin e tyre, ndërsa informacionin e kishte marrë nga mediat. Ai tha se po pret përfundimin e komisionit hetimor dhe në bazë të ligjit do të veprojë sa i takon procedurave ndëshkuese në rast se ka keqpërdorime.

Ndryshe, dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi, ishte një aksion i koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Por, që deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit patën deklaruar se nuk kishin fare njohuri lidhur me rastin.

Kryeministri Haradinaj pati liruar nga detyra ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, dhe shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, të cilët, më pas kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.