Gjykata e Apelit vendos për Burdushin

Kronika November 26, 2018 - 17:05
Lexo Detajet

Gjykata e Apelit e Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e avokatëve mbrojtës kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurit Hysri Peqani, i njohur në popull si Burdushi, duke e lënë kështu në paraburgim.

Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prizren, e cila i caktoi 30 ditë paraburgim Hysri Peqanit, i njohur si Burdushi, avokati i tij Asdren Hoxha, kishte paralajmëruar ankesë. Ai kishte thënë se vendimi i Gjykatës për caktimin e paraburgimit për Peqanin është vepër penale.

E sot, Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e avokatëve mbrojtës kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurit Hysri Peqani.

“Gjykata e Apelit, gjen se gjykata e shkallës së parë, ka dhënë arsye të mjaftueshme, mbi bazën ligjore për të cilën ka caktuar masën e paraburgimit ndaj tij, konform dipspozitave te nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës se Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Hysri Peqani po dyshohet nga ana e prokurorisë, për shkak të tri veprave panele nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës. “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “Shmangie nga tatimi”, “Mashtrim”  dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndryshe, Burdushi, është arrestuar më 16 nëntor nga Policia e Kosovës, pas bastisjes që kishte kryer Policia në shtëpinë e tij. Aty Policia ka gjetur armë, plumba, para, CD, telefona mobilë dhe vula.