Ky është i dyshuari kryesor për aksidentin në Mramor

Ky është i dyshuari kryesor për aksidentin në Mramor

Kronika nëntor 17, 2018 - 16:16
Lexo detajet!

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka ka thënë për “Zërin” se nga aksidenti i ndodhur mbrëmë rreth orës 17:00 në magjistralen Prishtinë-Gjilan më saktësisht në fshatin Mramor ku ishte e përfshirë edhe eskorta e ambasadores turke në Kosovë, Kivilcim Kiliç, dyshohet se fajtori i këtij aksidenti është vozitësi i veturës nga e cila edhe kanë vdekur katër persona, raporton "Zëri.info". 

Kryeprokurori Beka ka thënë se nga ky aksident kanë vdekur katër persona si dhe pesë të tjerë janë lënduar, katër prej të cilëve janë nga eskorta e ambasadores turke, Kivilcim Kiliç.

Ai thotë se ambasadorja turke është më e lënduara se personat e tjerë nga ky aksident.

“Deri më tani janë katër viktima nga ky aksident si dhe 5 persona tjerë të lënduar që janë jashtë rrezikut për jetë ku 4 prej tyre janë nga eskorta e ambasadores. Sipas informacioneve që kam, momentalisht më e lënduara është ambasadorja turke. Prej dyshimeve të para nga vendi i ngjarjes, janë më së shumti që fajësia i takon veturës në të cilën kanë qenë viktimat”, ka thënë Beka.

Sipas Kryeprokurorit Beka, vetura e cila ka shkaktuar aksidentin nuk ka pasur fuqi të mjaftueshme për një tejkalim të tillë.

“Vetura që ka bërë tejkalimin, e ka bërë në mënyrë të pasigurt pasi që e ka pasur veturën jo mjaftueshëm të fuqishme për një tejkalim të tillë”, ka treguar Beka.

Beka po ashtu tregoi se aktualisht është angazhuar edhe një ekspert i komunikacionit i cili edhe do ta studioi më mirë gjendjen se prej nga ka ardhur ky aksident.

“Ne tani e kemi angazhuar një ekspert të komunikacioni i cili do të na tregoj në mënyrë të detajishme gjendjen”, ka përfunduar Beka.

Kujtojmë se katër qytetarët që humbën jetën në aksidentin e djeshëm në Mramor të Prishtinës, janë nga Poneshi i Gjilanit.

Viktimat janë, Agron Shala, 22 vjeç, Arife Shala, 88 vjeç, Elfete Rashiti, 65 vjeç edhe Osman Shala, 65 vjeç. /Zëri