BE-ja monitoron rastet e gjykimeve që ndërlidhen me liberalizimin e vizave

Kronika November 10, 2018 - 17:32
Lexo detajet

Autoritetet e Kosovës i kanë krijuar qasje të drejtpërdrejtë Bashkimit Evropian për monitorimin e trajtimit dhe gjykimit të rasteve të cilat i ka shënjestruar, në kuadër të plotësimit të kriterit për liberalizimin e vizave nga fusha e sundimit të ligjit.

Janë 43 raste të shënjestruara të korrupsionit dhe krimit të organizuar të cilat janë duke u trajtuar në mekanizmat e drejtësisë në Kosovë.

Këto raste janë kërkuar të kryhen nga Bashkimi Evropianm në mënyrë që Kosova të ketë lehtësira në procesin e liberalizimit të vizave për lëvizje të lirë në zonën Schengen. Drejtuesit në Këshillin Gjyqësor thonë se këto lëndë po trajtohen me prioritet.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, tha për Radion Evropa e Lirë se sistemi i drejtësisë do të shtojë edhe më shumë përkushtimin në punë për këto lëndë.

“Deri tani kanë qenë 43 raste që janë evidentuar, 38 raste janë në gjykata, pesë në procedurë hetimore kurse 33 lëndë janë më aktakuza të paraqitura në gjykata. Ky është një raport i muajit gusht dhe ende nuk e kemi marrë raportin e fundit për progresin e mëtejmë, por është me rëndësi që këto lëndë kanë prioritet dhe çdo veprim që merret nga gjykata regjistrohet në databazë dhe Brukseli ka mundësi direkt të informohet për fazën dhe zhvillimin e procedurës së këtyre lëndëve”, tha Idrizi.

Për rastet e shënjestruara të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, tha për Radion Evropa e Lirë, se ato po shqyrtohen, por sipas tij, nuk mund të përfundojnë shpejt.

“Në Kodin e Procedurës Penale, janë paraparë fazat e procedurës dhe disa raste mund të marrin edhe me tepër kohë dhe lirisht mund të themi se gjykata nuk mund të punojë me automatizëm. Në vazhdimësi janë futur në databazë rastet dhe të dhënat e tjera. Disa janë para dy-tre muajve, kështu që ky është një proces… .Nuk është që tash po evidentohen dhe duhet të kryhen pas një jave. Kjo është e pamundur ligjërisht dhe proceduralisht”, tha Peci.

Nga ana tjetër, Ehat Mifaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga monitorimet e bëra nëpër gjykata për këto raste të shënjestruara, numri i aktgjykimeve dënuese është shumë i vogël.

“Deri më tani i kemi vetëm gjashtë raste të përfunduara, dy nga to janë me aktgjykim dënues ku personat janë dënuar për vepra penale, por që nuk i takojnë korrupsionit të nivelit të lartë, por i takojnë kryesisht korrupsionit të nivelit të ultë”, tha Miftaraj.

Ai tha se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duhet të jetë e vazhdueshme në mënyrë që të shkohet përpara me proceset integruese.

“Rruga drejt liberalizimit të vizave do të varet nga vullneti i politikës për të pastruar skenën politike nga ministrat me aktakuza, nga ndërhyrjet politike në rastet individuale të cilat janë në proces. Kemi pasur rastin Blakaj ku është shpërfaqur më së miri ku edhe ne si institut e kemi thënë që politika ka ndërhyrë si me deklarata, po edhe me ndikime të ndryshme në raste konkrete”, tha Miftaraj.

Zyrtarët në Këshillin Gjyqësor, por edhe ata në Gjykatën Supreme thonë se nuk kanë ndonjë rast zyrtarisht të raportuar të ndërhyrjeve politike në rastet të cilat trajtohen në gjykata.

Ata po ashtu kanë mohuar se deri më tash ka pasur ndonjë rast që dikush nga politika të ketë kërkuar që rastet të caktuara të pushojnë në gjykatat.

“Sinqerisht me ju than unë si Kryetar i Gjykatës Supreme nuk jam në dijeni se ka ndonjë ndikim [nga politika] të drejtpërdrejt, por nëse gjyqtarët, nëse kanë asi presioni apo ndikimi duhet të lajmërojnë, përndryshe janë të obliguar ta respektojnë ligjin”, tha Peci.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me tre vjet burgim ish-kryetarin e komunës së Lipjanit dhe ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Shukri Buja, nën akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ky gjykim, përbën një nga rastet e shënjestruara edhe nga Bashkimi Evropian në kuadër të kritereve për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, që ndërlidhen me liberalizimin e vizave.

Lufta kundër korrupsionit dhe rezultatet konkrete në këtë drejtim, janë pjesë e kushteve të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.