30 ditë paraburgim për oficerin korrektues dhe zyrtarin qeveritar

Kronika November 10, 2018 - 08:14
Lexo tjera detaje
Image

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji kundër oficerit korrektues Stefan Veliçkoviq dhe zyrtarit të Ministrisë së Diasporës Petrit Mustafa, të cilët dyshohet se kanë tentuar të ndihmojnë në arratisjen e malazezit Mario Milosheviq, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Vendimi i Gjykatës është marrë të premten, një ditë pasi zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Ibrahim Berisha, ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Veliçkoviqit dhe Mustafës. Sipas njoftimit të Gjykatës, ndaj oficerit korrektues Stefan Veliçkoviq ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga Neni 428, paragrafi 1 i KPK-së, ndërsa ndaj zyrtarit të Ministrisë së Diasporës Petrit Mustafës ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga Neni 429, paragrafi 1 i KPK-së. Paraburgimi ndaj tyre llogaritet nga dita e arrestimit, më 7 nëntor, deri në datën e njëjtë të muajit dhjetor.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri S. V. gjatë periudhës kohore korrik – gusht 2018 nga i pandehuri P. M. kishte marrë 3.000 euro ryshfet dhe dy telefona celularë gjatë kohës sa i pandehuri S. V. ishte në detyrë zyrtare si gardian i Burgut të Sigurisë së Lartë në fshatin Dyz”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjykata sipas këtij njoftimi ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve Veliçkoviq dhe Mustafa është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e papenguar të procedurës. Po ashtu Gjykata duke u bazuar në mënyrën dhe në rrethanat në të cilën janë kryer veprat penale, peshën e veprave penale, pretendon se nëse të pandehurit qëndrojnë në liri do të mundë të përsërisnin veprat e njëjta ose të ngjashme penale. Kundër këtij vendimi Gjykata bën të ditur se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Gazeta “Zëri” kishte raportuar rreth një muaj më parë

Gazeta “Zëri” ka raportuar se drejtorja e Burgut të Sigurisë së Lartë rreth një muaj më parë kishte vërejtur lëvizjet e dyshimta dhe përqendrimin e madh të gardianit Stefan Veliçkoviq te malazezi i paraburgosur Mario Milosheviq, i cili ishte arrestuar në korrik të këtij viti nën dyshimin për “Armëmbajtje pa leje”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e substancave narkotike”. Këto dyshime sipas burimeve të gazetës “Zëri”, që ishin vërejtur edhe nga kamerat e burgut, kishin bërë që gardianit Veliçkoviq t’i ndalohet kontakti në pavijonin në të cilin gjendet i paraburgosur malazezi Milosheviq.

Duke u bazuar në faktin se drejtorja e Burgut të Sigurisë së Lartë nuk mund të përcillte lëvizjet e tij jashtë institucionit, dyshimet e saj ia kishte treguar Policisë së Kosovës, e cila menjëherë kishte nisur hetimet ndaj gardianit Stefan Veliçkoviq.

Mirëpo derisa punonte në pavijonin ku është i paraburgosur Mario Milosheviq, oficeri korrektues kishte bërë marrëveshje që në këmbim të 3000 eurove në qelinë e Milosheviqit të fuste mjete të palejuara, të cilat do të mundësonin arratisjen e tij nga burgu. Oficeri korrektues i nacionalitetit serb, Stefan Veliçkoviq, nuk ishte i vetëm. Në bashkëpunim kishte edhe zyrtarin e Ministrisë së Diasporës Petrit Mustafën, të cilët pas disa hetimeve janë arrestuar të mërkurën nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës. Policia në njoftimin e saj ka treguar se dy të dyshuarit kishin shkëmbyer dhënien e parave në shumën prej 3.000.00 (tre mijë eurosh) para të gatshme me qëllim që t’i mundësohet posedimi i telefonit të paraburgosurit Mario Milosheviq, që gjendet në Burgun e Sigurisë së Lartë. Menjëherë pas arrestimit të tyre institucionet përkatëse kanë bërë suspendimin e tyre nga puna.

Malazezi u arrestua më 18 korrik

Dy malazezët, Mario Milosheviq i ashtuquajtur Mirosllav Kostiq dhe Gjorgje Paviqeviq, shtetasi serb Strahinja Dankoviq, si dhe kosovarja Laureta Zyba ishin arrestuar më 18 korrik të këtij viti nga Policia e Kosovës. Arrestimi i tyre ishte bërë gjatë një operacioni policor të zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit te të dyshuarit janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera. Mario Milosheviq është intervistuar edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) në kuadër të grumbullimit të provave lidhur me rastin e vrasjes së kreut të Iniciativës Qytetare Serbe (SDP), Oliver Ivanoviq, në janar të këtij viti. Milosheviq nga Prokuroria është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, mirëpo intervistimi i tij nuk ka ndihmuar në identifikimin e vrasësit ose zbardhjes së këtij rasti. Ndaj Milosheviqit ka urdhërarrest ndërkombëtar në INTERPOL nga shteti i Malit të Zi nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të shkallës së parë “Vrasje”. Ndërsa malazezi tjetër i dyshuar, Gjorgje Paviqeviq, kërkohet nga shteti malazez për shkak të arratisjes nga Spitali Special Psikiatrik në Kotorr, ku ai po vuan një dënim me burg për veprën penale të “Rrëmbimit” në bashkëveprim me veprën penale të “Tentimzhvatjes”./ZËRI