Tomë Gashi flet pas publikimit të letrës nga Sylejman Selimi

Kronika November 02, 2018 - 19:07
Sylejman Selimi ka konfirmuar në letër që Tomë Gashi më nuk do të jetë avokat i tij

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi sot ka lëshuar nga burgu një letër në të cilën ka konfirmuar që avokat i tij më nuk do të jetë Tomë Gashi. Ai në këtë letër ka shkruar që është i dëshpëruar me sistemin politik në vend dhe me vendimet që janë marrë, raporton “Zëri.info”.

Për këtë gjë në një bisedë për “Zërin”, Tomë Gashi ka deklaruar që pavarësisht kësaj, ai do të vazhdojë që ta mbrojë Sylejman Selimin edhe më tej.

“Gjeneral Sylejman Selimi është tejet i dëshpëruar në sistem dhe në persona apo person të caktuar për të cilin ai beson se është duke bërë ndikim të madh në sistemin juridik të Kosovës , tek persona të nivelit më të lartë të gjyqësorit në Kosovë që ta mbajnë sa më tepër që munden në vuajtje të dënimit pa vendim të plotfuqishëm gjyqësorë”, ka deklaruar Tomë Gashi për “zërin”.

LEXO EDHE: Letra dëshpëruese nga burgu e Sylejman Selimit: Harrojeni që ekzistoj

Tutje ai ka thënë që Selimi është i pakënaqur me drejtësinë në vend por që në anën tjetër është i kënaqur me punën që ai ka bërë për të.

“Sylejman Semi është falënderues për punën time si avokat i tij dhe kjo është një kërkesë për një kohë të caktuar të ndërprerjes së dërgimit të kërkesave  tek Gjykata Supreme, deri sa të takohemi bashkë me Gjeneral Selimin. Sigurisht që dëshpërimi është në sistem dhe në persona politike që haptas po ndikojnë që ai të mos lirohet dhe këtë gjeneral Selimi e ka potencuar disa herë në letrën e tij. Por unë do të vazhdoj të punoj për të në një,  apo mënyrë tjetër,  deri sa ai të lirohet nga rasti i montuar ndaj tij”, ka thënë ai. /ZËRI