Rreth 800 raste të dhunës në familje këtë vit

Rreth 800 raste të dhunës në familje këtë vit

Kronika gusht 17, 2018 - 07:59
Lexo detajet
Image

Prej janarit deri në korrik të këtij viti janë raportuar në Policinë e Kosovës rreth 800 raste të dhunës në familje, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Vetëm gjatë ditës së mërkurë në Policinë e Kosovës janë raportuar hiç më pak se dhjetë raste të dhunës në familje, madje në një rast të ushtrimit të dhunës ndaj bashkëshortes ka qenë i përfshirë edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës, i cili është arrestuar dhe është suspenduar nga puna për veprën e bërë.

Për më keq, javë më parë Valbona Marku-Nrecaj nga Gjakova u vra nga bashkëshorti i saj bashkë me vajzën e mitur.

Zyrtarë për Informim në Policinë e Kosovës në një prononcim për gazetën “Zëri” kanë thënë se nga janari deri në muajin korrik të këtij viti në Polici janë raportuar 751 raste të dhunës në familje.

LEXO EDHE: 'Lëmshi' i Asociacionit

Sipas tyre, Policia është duke i kushtuar rëndësi trajtimit të dhunës në familje si në aspektin parandalues, po ashtu edhe trajtimit aktiv të rasteve të raportuara.

“Gjatë vitit 2017 janë evidentuar 1.269 raste, kurse në periudhën gjashtëmujore janar - qershor 2018 janë evidentuar 628 raste. Në muajin korrik janë raportuara 123 raste të dhunës në familje në tërë Kosovën”, kanë thënë ata.

Sipas tyre, arrestimi i personave të dyshuar për dhunë në familje bëhet çdoherë kur ka baza ligjore.

“Policia e Kosovës çdoherë ndërmerr veprime konkrete konform autorizimeve ligjore në bashkëpunim të ngushtë edhe me institucionet tjera relevante me të cilat ka bashkëpunim të mirë. Zyrtarët kompetentë policorë përveç aspektit parandalues, u përgjigjen të gjitha rasteve të dhunës familjare të raportuara duke u dhënë prioritet këtyre rasteve dhe veprimet kryesore që ndërmerren përveç ofrimit të ndihmës ndaj viktimave përfshijnë edhe bashkëpunimin me subjektet tjera”, kanë thënë ata.

Gjendja ekonomike sociale, kultura familjare, tradita, si dhe gjendja psikike e dhunuesve konsiderohen si disa nga shkaktarët kryesorë të dhunës në familje.

Kështu ka bërë të ditur Kadri Gashi, këshillues profesionist, si dhe ekspert për çështje gjinore në organizatën joqeveritare Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë - PEN.

Ai ka thënë për “Zërin” se mosndëshkimi dhe mosparandalimi i dhunës me kohë sjell edhe vrasje, edhe vetëvrasje. Sipas tij, institucionet duhet të marrin masa për dhunën në familje.

“Sa i përket institucioneve, ato nuk janë të koordinuara për mekanizmat për parandalimin dhe për mbrojtjen e viktimave nga dhunuesit, pastaj edhe dënimet janë minimale ose edhe në shumicën e rasteve janë ndërhyrjet që bëhen nga njerëzit të cilët kanë të afërm në Polici, në gjykata pse në Prokurori”, ka thënë ai.

RRGK: Dështimi në parandalimin e dhunës në familje

Adelina Berisha, koordinatore për hulumtim dhe avokim mbi dhunën në baza gjinore në organizatën joqeveritare “Rrjeti i Grave të Kosovës”, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se në Kosovë është duke u punuar pak në parandalimin e dhunës në familje dhe ka raste që edhe pse lajmërohen në institucione, këto dështojnë të parandalojnë ushtrimin e dhunës.

Sipas saj, dështimi në parandalimin e dhunës dhe në ofrimin e mbrojtjes për viktimat mund të ndikojë që dhuna të jetë më e përhapur në shoqërinë tonë.

Berisha ka treguar se dënimet që janë dhënë ndaj ushtruesve të dhunës në Kosovë kanë qenë të ulëta, andaj edhe kjo organizatë vazhdimisht ka reaguar.

“Në vitin 2017 RRGK-ja, e përkrahur nga ‘Austrian Developement Agency’ ka angazhuar avokaten Fehmije Gashi-Bytyqi, e cila ka përfaqësuar familjen e të ndjerës Zejnepe Bytyqi, e cila e humbi jetën si pasojë e dhunës në familje e për të cilën vrasësi u dënua me vetëm 12 vjet burgim. Pas reagimit të RRGK-së dënimi ndaj vrasësit u rrit në 17 vjet burgim. Po ashtu gjatë këtij viti jemi duke përkrahur familjen e të ndjerës Antigona Morina, e cila po ashtu 6 vjet më parë humbi jetën si pasojë e dhunës në familje, ndërsa askush nuk u dënua”, ka shtuar ajo.

35 gra këtë vit janë strehuar në strehimoren e Gjilanit

Nazife Jonuzi, drejtoreshë në qendrën për mbrojtjen dhe për rehabilitimin e grave dhe të fëmijëve “Liria” në Gjilan, ka treguar se këtë vit 35 gra, viktima të dhunës në familje, kanë kërkuar strehim në këtë qendër rehabilitimi.

Sipas saj, në strehimore ka gra të cilat u takojnë edhe moshës 75-vjeçare.

Jonuzi ka thënë për “Zërin” se duhet të planifikohet një buxhet për strehimoret dhe jo të mbahen vetëm me subvencione.

“Nga janari deri më tani diku 35 raste janë paraqitur te ne. Ne kemi të ardhura prej Ministrisë, por kjo nuk është e qëndrueshme, është me subvencione. Për çdo ditë dhuna po rritet, duhet të ketë qëndrueshmëri financiare të strehimores prej shtetit, jo subvencione, por të planifikuara në buxhet. Jo të mbesim në mëshirën e secilit ministër që vjen se sa para po na ndan”, ka thënë ajo.

Dhuna në familje lë pasoja edhe te fëmijët

Psikologu Besnik Peci në një prononcim për “Zërin” ka thënë se dhuna në familje mund të shkaktojë pasoja qoftë te viktimat, qoftë te personat të cilët janë të pranishëm gjatë ushtrimit të dhunës.

Sipas tij, fëmijët që shohin dhunë në familje krijojnë edhe modele të këqija të sjelljeve.

“Pasojat e dhunës në familje tashmë janë edhe të vërtetuara shkencërisht. Ato krijojnë ndjenjën e izolimit, ndjenjën e ankthit dhe të frikës, e reduktojnë nivelin e shoqërizimit, e rrisin pasigurinë dhe e prishin ekuilibrin e një jetese të mirëfilltë në familje. Dhuna ka pasoja zinxhirore pasi edhe nëse je viktimë indirekte e saj fëmijët kur e shohin dhunën ata do të krijojnë modele të këqija të sjelljes dhe nuk do të kenë një ekuilibër të mirëfilltë në jetën e tyre”, ka thënë ai.

Peci ka treguar se lufta në Kosovë, si dhe varfëria e madhe ka ndikuar që një pjesë e qytetarëve të kryejë akte të dhunshme.

“Personat të cilët po ushtrojnë dhunë nuk duhet të shihen vetëm nga prizmi negativ i abuzuesit, por duhet të shihen si persona që kanë nevojë për trajtim dhe për mbështetje psiko-sociale. Jemi vend i dalë nga lufta, vend me një varfëri të madhe dhe të skajshme dhe si rezultat i kësaj qytetarët e kanë humbur ekuilibrin dhe kanë nevojë të këshillohen që të mos kryejnë akte të tilla. Pas mbështetjes psiko-sociale nevojitet që të ashpërsohen dënimet dhe të mos falen personat që bëjnë gjeste të kësaj natyre”, ka thënë ai.

Sociologu Xerxa: Shteti t’i edukojë dhe t’i punësojë qytetarët

Edhe sociologu Genc Xerxa ka treguar se dhuna në familje mund të lërë pasoja psikologjike, fizike dhe sociale te viktima. Ai në një prononcim për “Zërin” ka thënë se, viktima humb vetëbesimin dhe izolohet nga shoqëria për shkak të streseve psikike dhe dhunës që ushtrohet tek ajo.

Sipas tij, shteti duhet t’ua lehtësojë qytetarëve barrën e jetës duke i edukuar, duke i punësuar, duke ua larguar zhgënjimin dhe pashpresën që dërgojnë edhe në problem në familje.

“Familjet te të cilat kjo dukuri është e regjistruar nga qarqe të ndryshme institucionale të mirëqenies ose të sigurisë duhet të jenë në harmoni të plotë gjithë kohën dhe të kenë kontakt të vazhdueshëm me raste të tilla, nëse ka indikacione ose shkrepje konflikti që mund të formësohet e të çojë deri te dhuna, atëherë shteti duhet të marrë rolin e kujdestarit dhe t’i sigurojë familjet e viktimizuara dhe t’i përkrahë duke i larguar nga dhunuesi me urdhër ligjor detyrues”, ka thënë ai.

Xerxa ka shtuar se dhuna në familje ndikon negativisht edhe te fëmijët, pasi në të ardhmen edhe ai mund të jetë dhunues në familjen e tij për shkak të përjetimeve që ai ka pasur në fëmijëri.