Policia serbe përsërit skenarin, ia ndalojnë sërish hyrjen Hivzi Islami
Ish-kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, njëherësh anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, Hivzi Islami, sot, për të dytën herë i është ndaluar hyrja në Serbi. Tri ditë më parë Islami u ndalua nga autoritetet serbe, ai ishte nisur me familjen për vizitë te familjarët e tij në Bujanoc.
Familjarët e tjerë që udhëtonin bashkë me të u lejuan ta kalonin kufirin, ndërsa ai jo pa marrë shpjegime nga policia kufitare serbe.
Skenari i njejtë u përsërit edhe sot ndaj tij, raporton Gazeta Express.
“Sot, per here të dytë perseriti ndalimin e akademikut Hivzi Islami ne piken kufitare me Serbine.
Zyrtarët e Kosovës dhe qytetarët tanë në vazhdimësi përballen me gjëra të tilla”, shkruan Jetlir Zyberaj nga MPJ-ja, transmeton Gazeta Express.
Më tej ai thotë se pala serbe është joserioze ndaj zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit.
“BE do te lajmerohet nga ana jone që reciprociteti nga ana e Kosovës është mundësi reale tani”, thotë ai.
Sidoqoftë, policia kufitare në Serbi shumë shpesh po i ndalon qytetarët e Kosovës pa arsye në kufi. Atyre nuk po ua lejojnë hyrjen në Serbi.
Së fundmi hyrja në shtetin serb iu ndalua edhe analistit Shkelzen Maliqit.