Arrestohet një ish-punëtor i MUP-it serb

Kronika August 02, 2018 - 09:00
Lexo detajet

Vitomir Iliq, 58-vjeçar, ish-punëtor i MUP-it serb, është arrestuar në mëngjesin e së mërkurës në një fshat të komunës së Ranilugut. Policia përveçqë ka konfirmuar arrestimin e një shtetasi kosovar të nacionalitetit serb, nuk ka dhënë detaje të tjera. Megjithatë burime të gazetës kanë konfirmuar se i arrestuari është Vitomir Iliq, shkruan gazeta "Zëri". 
Ish-punëtori i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Serbi, 58-vjeçari Vitomir Iliq, është arrestuar mëngjesin e së mërkurës nga Policia e Kosovës. Arrestimi është bërë në një fshat të komunës së Ranillukut. Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur për “Zërin” se personi në fjalë është serb me shtetësi kosovare. 

LEXO EDHE: Serbia investon mbi 2.5 milionë euro për ndërtesa banimi për serbët e veriut


Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i ka thënë gazetës se Policia nuk ka detaje rreth motivit të arrestimit të tij. Pas intervistimit të të arrestuarit në praninë e prokurorit të Prokurorisë së Gjilanit sipas Hashanit rasti ka kaluar në Prokurori. “Policia sot në mëngjes ka arrestuar një person të nacionalitetit serb në fshatin Kormjan , komuna e Ranillugut, dhe ai është sjellë në lokalet e Policisë, ku është intervistuar në prani të prokurorit të Shtetit. Prokuroria i ka marrë të gjitha veprimet e mëtutjeshme të këtij rasti. Nuk kemi raport zyrtar prej Prokurorisë, ende nuk di asgjë më shumë”, është shprehur Hashani. 

Gazeta ka provuar të kontaktojë kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjilan Jetish Malokun për të kuptuar më shumë rreth këtij rasti, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.  Ndërkohë njohës të çështjeve të sigurisë pohojnë se Kosova rrezikohet shumë nga spiunazhi serb.

Qëllimi kryesor i  Serbisë sipas njohësit të çështjeve të sigurisë Avni Islami është destabilizimi i Kosovës dhe marrja e informacioneve rreth punës së institucioneve kosovare.

“Jo vetëm tash, por që nga përfundimi i luftës, që nga tërheqja e forcave ushtarake nga territori i Kosovës, Serbia pas vetes ka lënë një armatë të tërë të bashkëpunëtorëve, të informatorëve dhe të njerëzve inteligjentë të BIA-s, ose në atë kohë të quajtur UDB-a. Kësisoj, pavarësisht asaj se në çfarë rrethanash, mënyra e kamuflimit të tyre dhe kontributi i tyre për destabilizimin e Kosovës dhe marrja e informacioneve rreth punës dhe aktiviteteve të institucioneve të Republikës së Kosovës është në vazhdimësi edhe në ditët e sotme”, është shprehur Islami.

Megjithatë Islami pohon se Inteligjenca kosovare dhe ajo e vendeve të fuqishme që janë mike të Kosovës, bëhet neutralizimi i shërbimit inteligjent serb, por edhe rus që sipas tij është prezent në Kosovë.

“Fatbardhësisht në Kosovë operojnë edhe agjencitë e inteligjencës së vendeve të fuqishme dhe unë besoj në bashkëpunimin e tyre edhe me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI) dhe kësisoj bëhet neutralizimi i punëtorëve operativë ose informatorëve qoftë të BIA-s ose të ndonjë shërbimi tjetër inteligjent armiqësor. Nuk është larg mendjes që edhe shërbimi inteligjent rus dhe ato të cilat nuk ia duan të mirën Kosovës të jenë aktivë në Kosovë”, thotë ai.

Islami shton se nuk do të thotë që agjentët e shërbimit të huaj që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe operojnë në Kosovë e që nuk e di AKI-ja ose në përgjithësi organet e sigurisë së Kosovës. 
Ky nuk është rasti i parë që organet  përgjegjëse kosovare kanë arrestuar punëtorë ose ish-punëtorë të MUP-it serb. Në vitin 2012 Policia e Kosovës kishte arrestuar katër punëtorë të  MUP-it të Serbisë dhe një serb tjetër nga rajoni i Gjilanit. Ata ishin arrestuar nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, 25 shkurt të atij viti dhe akuzohen për “Sulm në sistemin juridik të Kosovës dhe pengim të Policisë në kryerjen e detyrës zyrtare”.