Sot aktgjykimi për katër imamët dhe Fuad Ramiqin

Kronika May 18, 2018 - 13:11
Lexo detajet

Gjykata Themelore në Prishtinë sot pritet të jap aktgjykimin e saj për katër imamët, Enes Goga, Bedri Robajt, Mazllam Mazllami, Idriz Biliban si dhe ish-kryetarin e partisë Lëvizja Islame Bashkohu, Fuad Ramiqi, raporton “Zëri.info”.

Katër imamët dhe ish-kreu i LISBA-së akuzohen për shtytje të personave të pacaktuar që t’iu bashkëngjiten grupeve terroriste “Al-Nusra”, përcjellje të mesazheve shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste, nxitje e urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë,  nxitje urrejtje dhe mos durim ndaj grupit të komunitetit LGBTI si dhe thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.

Aktgjykimi pritet të shpallet në ora 15:30.

Në fjalën përfundimtare ë tij prokurori i Prokurorisë Speciale, Haki Gecaj ka kërkuar  nga trupi të jap një dënim shembullor

“Veprat i kanë kryer me dashje dhe dije,  dhe propozoj që ti dënoni. Jepjani një dënim shembullor të akuzuarve, që të tjerët të mendojnë disa herë para se të veprojnë”, ishte  shprehur prokurori Gecaj gjatë fjalës përfundimtare në këtë proces gjyqësor.

Sipas tij prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme, në bazë të të cilave gjykata mund t’i dënoj të akuzuarit.

Në anën tjetër të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre aktakuzën e prokurorit e kanë quajtur politike.

“Konsideroj se burgosja ime dhe akuza ndaj meje është e fabrikuar politikisht, me motivim për të më diskredituar si personalitet, për të më frikësuar, për ta frikësuar subjektin politik të cilin unë e kam udhëhequr atëherë si dhe për ta vendosur një atmosferë anti islame në Kosovë në mesin e popullatës. Kjo për faktin se asnjëherë nuk kam keqpërdorur asgjë nga atdheu im”, ishte deklaruar në fjalën e tij përfundimtare kreu i LISB-as Fuad  Ramiqi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale  imami Bedri Robaj akuzohet se që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam dhe gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur “xhihadin-shehidllëkun në Siri”. I njëjti akuzohet për shtytje të personave të pacaktuar që t’iu bashkëngjiten grupeve terroriste “Al-Nusra”.

Idriz Bilibani, akuzohet se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami-OJQ-në “El Bejan” dhe paraqitjet tjera publike të incizuara në video ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Kurse, aktakuza pretendon se Enes Goga në pozitën e imamit në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në këtë qytet, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në youtube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Mazllam Mazllami, akuzohet se si imam i xhamisë “Jeni Mahalla” në Prizren, gjatë predikimit të tij dhe në paraqitje publike ka nxitur dhe përkrahur publikisht urrejtje dhe mos durim ndaj grupit të komunitetit LGBTI.

Fuad Ramiqi, akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit në televizione, gazeta dhe rrjete sociale ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë./Zëri