Në qershor nis rigjykimi ndaj Enver Sekiraqës

Kronika May 18, 2018 - 08:04
Lexo detajet

Edhe pse Gjykata e Apelit ka më shumë se tetë muaj që ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Enver Sekiraqës, procesi gjyqësor në këtë rast ende nuk është caktuar. Mbrojtësja e Sekiraqës, avokatja Kosovare Kelmendi, thotë se ky rast është zvarritur shumë dhe kërkon që sa më shpejt të caktohen seancat e këtij procesi, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Gjykata Themelore në Prishtinë pritet që gjatë muajit qershor t’i caktojë seancat e para gjyqësore në procesin e rigjykimit ndaj Enver Sekiraqës.

Kështu të paktën ka deklaruar për “Zërin” vetë kryetari i trupit gjykues në këtë rast Shashivar Hoti.

LEXO EDHE: Policia rrit shpenzimet për luks, zvogëlon ato për investime kapitale

Ky ka thënë se seanca e parë e rigjykimit në procesin ndaj Sekiraqës pritet të caktohet gjatë muajit qershor.

“E kemi në plan ta caktojmë në qershor dhe do t’ju njoftojmë për datën”, ka thënë shkurt gjyqtari Hoti.

Rasti i Sekiraqës ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në tetor të vitit të kaluar dhe zvarritja e rifillimit të këtij procesi ka bërë që mbrojtësja e Sekiraqës, avokatja Kosovare Kelmendi, të bëjë kërkesë për përshpejtimin e fillimit të këtij procesi gjyqësor.

Avokatja Kelmendi i ka thënë gazetës se ka bërë kërkesë edhe për ndërprerje të masës së paraburgimit, por edhe për caktimin sa më të shpejtë të seancave gjyqësore në këtë rast, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje, përveç vazhdimit të masës së paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

 “Kemi bërë kërkesë për ndërprerjen e masës së paraburgimit, kemi kërkuar të zëvendësohet nëse është e mundur, për shkak se kanë kaluar nëntë muaj qëkur lënda është kthyer në rigjykim dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim, respektivisht nuk është caktuar asnjë seancë. Meqenëse është tejkaluar një afat bukur i gjatë i paraparë me ligj, atëherë kam parashtruar kërkesë, por përgjigje në atë kërkesë nuk kam marrë, por aktvendim për vazhdim të paraburgimit po”, ka thënë Kelmendi.

Ajo shprehet se arsyetimi për këtë zvarritje ishte se Gjykata, në këtë rast kryetari i trupit gjykues, është i ngarkuar me lëndë të natyrës korruptive, të cilat janë prioritet i gjykatave për procesin e liberalizimit të vizave.

Megjithatë ky arsyetim i Gjykatës sipas avokates Kelmendi nuk është i qëndrueshëm sepse ka kaluar shumë kohë nga kthimi në rigjykim i kësaj lënde.

“Është zvarritje tepër e madhe, por justifikimi i kryetarit të trupit gjykues ka qenë se është i ngarkuar me disa lëndë që kanë prioritet, që po i quajnë këta raste të liberalizimit të vizave, por pa marrë parasysh kjo nuk është arsyetim sepse ka kaluar një kohë shumë e gjatë qyshkur rasti është kthyer në rigjykim edhe deri tash veç është dashur të procedohet”, thotë Kelmendi.

Rasti i Enver Sekiraqës i akuzuar për “Nxitje në vrasjen e policit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza” ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në muajin tetor të vitit të kaluar.

Pas vendimit të Apelit për kthim të rastit në rigjykim, Gjykata kishte marrë vendimin për lirimin e Sekiraqës nga paraburgimi. Ai ishte liruar pasi Gjykata e Apelit kishte vendosur që masa e sigurisë nga paraburgimi t’i shndërrohet në arrest shtëpiak.

Mirëpo ai kishte thyer masën e arrestit shtëpiak duke u takuar me persona jashtë familjes, gjë të cilën e kishte të ndaluar nga Gjykata dhe pas kësaj shkeljeje masa e arrestit shtëpiak i është kthyer sërish në paraburgim.

Enver Sekiraqa ishte shpallur fajtor dhe ishte i dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në maj të vitit 2016 me 37 vjet burgim për “Nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza”, më 30 gusht 2007.

Ai është  akuzuar për tri vepra penale, derisa akuza kryesore ishte për “Kryerje të vrasjes së rëndë të pjesëtarit të Policisë së Kosovës”. Sekiraqa akuzohej se kishte nxitur Arben Berishën për të kryer vrasjen e policit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza, por edhe për vepra të tjera.

Për vrasjen e Rizës ishte dënuar edhe Arben Berisha me 30 vjet burgim, si dhe dy persona tjerë.

Sekiraqa ishte dorëzuar në duart e autoriteteve kosovare në vitin 2012 pas një kohe të gjatë qëndrimi në arrati.

Pas dorëzimit ai kishte vuajtur një dënim për një incident me policët, të cilët tashmë janë në burg dhe të akuzuar për “Shpërthimin në lokalin e tij”, në Prishtinë.