Policët e zhdukur nuk gjenden as pas katër ditëve

Kronika May 03, 2018 - 09:44
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi, rajoni, bota....

Vazhdon kërkimi i trupave të dy zyrtarëve policorë, të cilët u zhdukën gjatë aksidentit në magjistralen Hani i Elezit - Kaçanik. Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet për t’i zbardhur të gjitha detajet e këtij aksidenti. Kryeprokurori Shukri Jashari thotë se Prokuroria aktualisht dyshon se është aksident dhe zyrtarët policorë janë hedhur në ujë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ka hyrë në ditën e katërt kërkimi për gjetjen e trupave të dy zyrtarëve policorë, Malsor Dashi dhe Armend Trena, të cilët u zhdukën në natën e 28 prillit pas një aksidenti në magjistralen Hani i Elezit - Kaçanik.

Por, pavarësisht angazhimit të njësiteve të ndryshme, të Forcave të Armatosura të Kosovës (FSK) dhe të Policisë së Kosovës ende nuk është gjetur ndonjë gjurmë që do të dërgonte në gjetjen e trupave të dy policëve.

LEXO EDHE: Vullnetari rrezikoi të mbytet gjatë kërkimit të policëve në lumë (VIDEO)

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij rasti.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, në një prononcim për gazetën Zëri ka thënë se nga momenti kur ka ndodhur aksidenti Prokuroria është duke hetuar këtë çështje.

Ai thotë se Prokuroria është duke i udhëhequr hetimet, por momentalisht ende nuk ka diçka konkrete në këtë rast. Kryeprokurori Jashari thotë se Prokuroria tash për tash dyshon se rasti ka të bëjë me aksident.

Sipas tij, momentalisht nuk ka ndonjë dyshim se mund të ketë qenë dikush i përfshirë në këtë aksident.

“Dyshohet se është aksident dhe zyrtarët policorë janë hedhur në ujë. E kemi bërë kërkesën për ekzaminimin e veturës. Njësitet relevante janë në vendin e ngjarjes, po bëjnë gjurmimin. Në momentin kur ka ndodhur aksidenti, pas gjysmë ore, eventualisht pas 40 minutash unë kam qenë në vendngjarje”, ka thënë kryeprokurori Jashari.

Kryeprokurori Jashari: Policët po dorëzonin një të paraburgosur

Dy zyrtarët policorë, sipas tij, po ktheheshin në Stacionin Policor në Kaçanik pas dërgimit në paraburgim të një të burgosuri.

“Kanë qenë në detyrë, kanë qenë duke u kthyer në bazë, pasi kanë qenë në Han të Elezit për ta dërguar një person i cili ka qenë i arrestuar, pasi i është caktuar arresti shtëpiak dhe gjatë kthimit të tyre në bazë ka ndodhur aksidenti”, është shprehur Jashari.

Në anën tjetër gazeta ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, i cili nuk ka dashur të japë detaje rreth detyrës që ishin duke e kryer dy policët natën kur ndodhi aksidenti.

Gashi thotë se kërkimi i policëve po bëhet nga 150 pjesëtarë të agjencive të ndryshme, por ende nuk ka asnjë gjurmë të tyre.

“Nuk janë për juve, por për hetime. Situata është e njëjtë ende, edhe sot e kemi vazhduar aksionin e kërkimeve me 150 pjesëtarë të agjencive të ndryshme. Besoj që do të përfundohet, ka mbetur edhe pak, është hera e dytë ku po e kontrollojmë lumin dhe pjesën e malit ku ka rënë vetura”, ka thënë Gashi.

Sa i përket kërkimeve në territorin maqedonas, Gashi thotë se nuk ka kompetencë të flasë për atë pjesë.

“Për shtetet e huaja nuk kam të drejtë të flas, veç në Kosovë, për andej nuk kam kompetenca, është jashtë kufirit”, ka pohuar ai.

Ndërpritet rrjedhja e ujit në disa fshatra për shkak të kërkimit

Ndërkohë gjatë ditës së mërkurë Policia e Kosovës përmes një njoftimi për medie ka bërë të ditur se do të bëhet ndërprerja dhe orientimi i rrjedhjes së ujit drejt kanaleve të ujitjes në disa fshatra të rajonit të Kaçanikut, me qëllim të uljes/zvogëlimit të nivelit të ujit drejt lumit Lepenc, në mënyrë që të lehtësohet kërkimi i dy zyrtarëve policorë.

“Në kuadër të angazhimeve dhe të planifikimeve të vazhdueshme, në interes të kërkimit dhe gjetjes së kolegëve tanë, sot (02.05.2018) rreth orës 16:00 Policia e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor si dhe akterët relevantë, në dy hidrocentrale të rajonit të Ferizajt do të bëjnë ndërprerjen dhe orientimin e rrjedhjes së ujit drejt kanaleve të ujitjes në disa fshatra të rajonit të Kaçanikut, me qëllim të uljes/zvogëlimit të nivelit të ujit drejt lumit Lepenc, në mënyrë që të lehtësohet kërkimi i dy zyrtarëve policorë”, bën të ditur Policia.

Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes janë angazhuar menjëherë të gjitha njësitë relevante të Policisë së Kosovës, duke përfshirë edhe koordinimin, bashkëpunimin dhe angazhimin e menjëhershëm me të gjitha institucionet tjera përgjegjëse.

“Prokuroria, AME-ja, njësitet e FSK-së, njësite të ndryshme të kërkim-shpëtimit, ekipe të zhytësve, KFOR-i, si dhe zyrtarë policorë vullnetarë, ekipe të ndryshme vullnetare, zhytës, alpinistë, qytetarë etj., të cilët me përkushtimin më të madh, të pakursyer, për ditë me radhë, janë vënë në kërkim të kolegëve tanë, ku gjetja e tyre mbetet si qëllimi primar yni”, njofton Policia.

Doganaj, Sopanicë, Tushaj, Dubravë dhe Nikaj janë fshatrat e rajonit të Kaçanikut  nëpër të cilat pritet të kalojë uji në kanalet e ujitjes.

Policia ka kërkuar nga banorët e këtyre fshatrave që të jenë të njoftuar mbi fillimin e qarkullimit të ujit në kanalet e ujitjes dhe të kenë kujdes të shtuar rreth qarkullimit të banorëve, në veçanti fëmijëve dhe mjeteve të transportit rrugor në afërsi të tyre.

Për kërkimin e dy policëve nga e enjtja do të angazhohet edhe zhytësi i njohur Ismail Kasumi.

Zyrtarët policorë, Malsor Dashi dhe Armend Trena, anë aksidentuar të shtunën rreth orës 20:45, në magjistralen Hani i Elezit - Kaçanik.

Aksidenti kishte ndodhur më 28 prill te vendi i quajtur “Kulla me qeshme”, ku një veturë zyrtare e Policisë së Kosovës, në të cilën ndodheshin dy zyrtarët  policorë, për shkaqe ende të panjohura ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke rënë nga një lartësi në rrjedhën e lumit Lepenc.

Njësitet e ndryshme hetimore tash e disa ditë po hetojnë për gjetjen e trupave të tyre.