15 vjet burg për vrasjen e Aulon Zekës
Foto: Driton Bublaku

15 vjet burg për vrasjen e Aulon Zekës

Kronika prill 17, 2018 - 09:54
Pasi ishte qëlluar me 4 plumba trupi i tij ishte dërguar në afërsi të shkollës fillore ''Qamil Batalli'' në lagjen ''Arbëria'' në Prishtinë

15 shtatori i vitit të kaluar ishte ankthi më i madh që familja e Afrim Zekës, nga Prishtina, kishte përjetuar.

Për 24 orë të tëra ata nuk kishin as informacionin më të vogël për vendndodhjen dhe gjendjen e djalit të tyre 16-vjeçar, i cili ishte zhdukur pa asnjë gjurmë.

Pavarësisht frikës se çfarë mund t’i ketë ndodhur djalit të tyre, ata kurrë s’e kishin besuar se një krim monstruoz mund të kishte ndodhur ndaj tij. Mëngjesin e 16 shtatorit trupi i 16-vjeçarit Aulon Zekës ishte gjetur pa shenja jete nën deponinë ilegale afër Tjegullores në Arbëri.  

Ai ishte vrarë me armë zjarri e ishte dërguar në një hapësirë të fshehur dhe pak të frekuentuar në afërsi të shkollës fillore “Qamil Batalli”, në lagjen “Arbëria”, në Prishtinë.

Disa muaj pas vrasjes së tij të hënën kryesit e kësaj vepre penale u dënuan nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, me gjithsej 14 vjet burgim.

Ndaj të akuzuarit kryesor, G. H. Gjykata shqiptoi 9 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndaj të miturës R.G., e cila akuzohej për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesit pas kryerjes së veprës penale” Gjykata shqiptoi 3 vjet burgim dhe 1 vit e 6 muaj ndaj të miturit L.LL. për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

“I mituri G.H. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim për të mitur në kohëzgjatje prej 9 (nëntë) vjet e 6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 17.09.2017 e tutje. Të miturës R.G. i është shqiptuar masa edukativo-korrektuese në kohëzgjatje prej 3 (tri) vitesh. Të miturit L.LL. i është shqiptuar mbikëqyrje e shtuar nga organi i kujdestarisë në kohëzgjatje prej 1(një) viti e 6 (gjashtë) muaj”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndaj të miturit G.H. Gjykata ka bërë të ditur se do të vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, ndërsa i është ndërprerë masa e paraburgimit të miturës R.G. Për këtë vendimin palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Menjëherë pas dhënies së aktgjykimit nga Gjykata, mbrojtësi i familjes Zeka, avokati Skender Musa ka paralajmëruar ankesë për ashpërsim të dënimit ndaj të miturës R.G.

Avokati Musa tha se mbrojtja në përgjithësi është e kënaqur me vendimin e Gjykatës, por do të kërkojë ashpërsimin e dënimit për të miturën R.G, e cila u dënua me 3 vjet.

LEXO EDHE: Këto janë fjalët prekëse të nënës së Aulonit pas vendimit të Gjykatës

Ai vendimin e Gjykatës e quajti të drejtë.

Por me këtë dënim nuk po pajtohet kurrsesi familja e Aulonit.  

Nëna e tij, Mevlude Zeka, u shpreh se nuk është aspak e kënaqur me vendimin e Gjykatës.

“Për mua 100 vjet po t’i dënonin janë pak, e lëre më me 14 vjet. Djali im më nuk do të kthehet, do të doja të dënoheshin përjetë që të tjerët të mos bëjnë gjëra të tilla. Ata meritojnë me i vjerrë”, u shpreh Mevlude Zeka.

Aulon Zeka kishte dalë nga shtëpia e tij rreth orës 21:00 të mbrëmjes së 15 shtatorit të vitit të kaluar, ndërsa trupi i tij i pajetë ishte gjetur mëngjesin e 16 shtatorit nga një banor i lagjes “Arbëria” në Prishtinë, derisa po hidhte mbeturinat.

LEXO EDHE: Babai i Aulonit të vrarë: Vajza që ma vrau djalin u dënua pak, nuk e lë me kaq

Pasi ishte qëlluar me 4 plumba trupi i tij ishte dërguar në afërsi të shkollës fillore “Qamil Batalli” në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.

Dy ditë pas vrasjes së tij Policia kishte arritur të arrestonte dy të dyshuarit. G. H dhe R. G.

Ndërsa pas hetimeve të zhvilluara Policia pati arritur që dy muaj pas vrasjes, në nëntor të vitit të kaluar të gjejë armën me të cilën është kryer vrasja e të miturit Aulon Zeka.