Djali i zhdukur në Gjakovë, babai jep detaje për rastin

Djali i zhdukur në Gjakovë, babai jep detaje për rastin

Kronika dhjetor 13, 2017 - 13:31

Nik Hiseni është babai i djalit të zhdukur dje në Gjakovë, Pal Hiseni i moshës 15-vjeçare. Babai i tij ka dhënë detaje për Insajderin, duke thënë se para se të shkonte djali i tij në shkollë është zhdukur.

“Dje në orës 12:00 të ditës, gruaja e ka sjellë deri në rrugën ‘Gjon Nikollë Kazazi’, dhe aty është ndalur te një qebaptore për të ngrënë drekë, kurse gruaja ka vazhduar për në shtëpi”, rrëfen ai për Insajderin.

“Djali ka pasur për të shkuar në shkollë në orën 13:00 në vitin e parë në gjimnaz. Në 12:33 minuta, sipas policisë, telefoni i tij është ndalur dhe nuk kemi asnjë kontakt”, ka shtuar ai.

Ai thotë se ka biseduar me të gjithë baballarët e shokëve të tij, dhe deri më tani nuk ka asnjë informatë të re.

Por, siç tregon ai, nga kamerat e qebaptores ku djali i tij Pali kishte ngrënë bukë, ka qenë aty deri në orën 12:30, dhe pasi ka dalë prej aty, është zhdukur.

“Ne kemi shkuar dhe i kemi parë kamerat, në 12:30 minuta ka dalë prej qebaptores dhe prej atij momenti nuk është parë”, ka thënë më tej ai. Ai ka thënë se policia është duke u munduar maksimalisht, por deri më tani nuk ka asnjë informacion tjetër.