Nisin hetimet për arsimtarin që ushtroi dhunë ndaj nxënësit në Malishevë

Kronika December 08, 2017 - 12:21

Mevludim Mazreku, profesor i Gjuhës Shqipe në Qendrën e Kompetencës në Malishevë ka ushtruar dhunë fizike ndaj një nxënësi në orë mësimore.

Për këtë, atij i është dashur të japë një deklaratë, derisa ka marrë edhe vërejtje nga Drejtoria e Shkollës. Deklaratë ka dhënë edhe nxënësi që mori shuplaka nga profesori.

Gazeta Insajderi dje ka publikuar një video ku shihet profesori duke shuplakuar nxënësin. Vetëm pas publikimit të rastit në media, autoritetet kanë filluar të hetojnë rastin.

Nazmi Zogaj, drejtor i Qendrës së Kompetencës në Malishevë, shprehet se institucioni të cilin drejton ai është shkollë e mesme që përmban drejtime ekonomike.

Ai shprehet se për rastin nuk ka qenë më herët në dijeni, pasi nuk ka pasur asnjë ankesë, por është njoftuar vetëm pasi videoja ka dalë në media.

Ai ka thënë për Insajder se tani ka filluar me zhvillimin e procedurave për hetimin e plotë të rastit.

“I mora deklaratat e personave të përfshirë në konflikt dhe e kam njoftuar punëdhënësin dhe mbetet me pa procedurat e mëtutjeshme. E mora deklaratën edhe të nxënësit edhe të profesorit”, ka thënë Zogaj.

Ai ka thënë se do të ndërmmern të gjitha masat e parpara me ligj. “Është një deklaratë e shkurtër e profesorit. Profesori thotë se kërkon ndjesë, por nuk ka qenë qëllimi I dhunës dhe nuk ka shkuar në atë masë që po shihet aty. Edhe nxënësi e pranon se ka bërë pak zhurmë”, ka thënë Zogaj, duke thënë se si shkollë I përgjigjen Agjencionit të Aftësimit Profesional në Ministrinë e Arsimit.

“Unë do të marrë masat e duhura, pasir çka nuk është në rregull nuk është në rregull për mendimin tim”, ka thënë Zogaj.

“Nuk jam unë ai që e marr vendimin për përjashtimin e punëtorit nga puna, por unë do t’ia paraqes këtë punëdhënësit”, ka thënë Zogaj, duke shtuar se ngjarja ka ndodhur diku para 10 ditësh, pasi sipas tij as nxënësi nuk e di saktë se kur ka ndodhur rasti.

“Agjencioni është i njoftuar gojarisht, kurse tani pres që deklaratat me ia përcjell. Në dorën time është një vërejtje që i takon me shkrim dhe këto të gjitha unë do t’i procedoj tutje”, ka deklaruar Zogaj.

Përgjegjësi ka kërkuar edhe Komuna e Malishevës, edhe pse shprehet se shkolla nuk është më në kompetencë të saj.

Kryetari Ragip Begaj shprehet se për rastin është njoftuar pas shkrimit në gazetën Insajderi.

“Unë për rastin jam njoftuar përmes juve. Sot kam biseduar me drejtorin, tani do të shkojnë më tutje masat se si do të veprohet në bazë të ligjeve që i kemi”, ka thënë Begaj, duke shtuar se ka këkruar që rasti të trajtohet me seriozitet.

Sipas tij, qendra nuk i përgjigjet Komunës tash e disa vite, pasi me një vendim të Ministrisë së Arsimit ka kaluar në menaxhim të Agjencisë së Aftësimit Profesional.

“Agjencioni për Shkollat e Kompetencës i ka marrë përgjegjësitë rreth këtyre shkollave dhe goxha në konflikt jemi me ta. I kemi pas qit edhe në gjyq sepse ka qenë nja marrëveshje që është goxha e papranueshme për neve sepse ata i kanë marrë kompteencat, edhe pse me ligj komunat janë përgjegjëse për arsimin fillor dhe të mesëm”, ka thënë Begaj.

Ndërsa Fikrije Zymberi, ushtruese detyre e drejtoreshës në Agjencionin për Aftësim Profesional ka deklaruar se janë në pritje të deklaratave me shkrim nga Drejtoria e Qendrës dhe pastaj në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse do të marrin masa adekuate konform ligjit.

E për rastin nuk është njoftuar në rrugë institucionale as Inspektorati i Arsimit.

Defrim Gashi, drejtor i Inspektoratit të Arsimit në Republikën e Kosovës, ka thënë se nuk janë njoftuar për rastin, edhe pse ky është obligim ligjor i shkollës dhe komunës.

“Jo nuk jemi të njoftuar. Shkollat zakonisht në këso raste as drejtori I shkollës e as drejtoritë komunale nuk na informojnë për rastet e tilla apo rastet që duhet me urgjencë të njoftohet organi”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, është obligim ligjor i drejtorit të shkollës ta njoftojë Drejtorinë Komunale dhe Ministrinë e Arsimit dhe nëse është rast më i rëndë edhe organet e policisë dhe gjyqësorin.

“Unë nuk mund të paragjykoj pa ditë për çka është fjala, por sigurisht do të marrim të gjithë ato masa dhe veprime që janë në harmoni me ligjin dhe që i përkasin fushës sonë”, ka thënë Gashi.

Profesori Mevludim  Mazreku është anëtar i PDK-së dhe ka qenë drejtor i Departamentit për Rini dhe Sport në qeverisjen e PDK-së në Malishevë që përfundoi në fund të vitit 2013.

Mazreku tashmë profesor në shkollën e Qendrës së Kompetencës në Malishevë, pasi rrah me shuplaka nxënësin, ai e urdhëron atë që të ngrihet edhe njëherë duke e rrahur përsëri./Insajderi.com