Këshilla për prindërit që kanë mirëpritur në jetë fëmijën e dytë

Këshilla për prindërit që kanë mirëpritur në jetë fëmijën e dytë

Jetë March 17, 2019 - 22:12
Lexoni detajet

Ardhja e një anëtari të ri në familje ndodh që shkakton probleme mes fëmijëve të tjerë.

Nëse prindërit nuk do ishin në gjendje të vendosin veten në situatat e fëmijëve më të rritur atëherë ata mund të provokojnë ndjenjat e xhelozisë/ zilisë për vëllain ose motrën e vogël.

Këtë situatë prindërit duhet të dinë si ta pengojnë

Prindërit duhet të kuptojnë se fëmija i parë të cilit i është kushtuar e gjithë vëmendja dhe dashuria, tani mund të njehet si i lënë mbas dore duke mos e mirëpritur siç duhet vëllain ose motrën e vogël. Edhe pse një qenie fare e vogël i gjithë fisi dyndet për ta parë, për ta uruar, e mbushin me dhurata, shpërthejnë në britma gëzimi dhe mahnitje. Fëmija më i rritur mbetet në qoshe me duart në xhepa dhe me një pyetje në kokë:

Kush po ja zë vendin ??

Nëse në familje do të vijë një fëmijë tjetër atëherë duhet t’u kushtoni pak vëmendje këshillave të mëposhtme:

Përfshijeni fëmijën tuaj më të rritur sa më shumë gjatë punëve të parapërgatitjes si gjatë blerjes, palosjes së rrobave të bebit, rregullimit të këndit ose krevatit të foshnjës.

Krijojini hapësirë fëmijës më të rritur që të mbledhë dhe vendosë në një vend të sigurt gjërat dhe lodrat e tij/ e saj më qëllim që “bebi të mos i prekë”.

Lejojeni që të zgjedhë disa lodra për fëmijën e ri qofshin të tijat ose dhe duke i blerë të reja në dyqan.

Gjatë shtatzënisë ndodh që nëna të jetë e lodhur, e stresuar, të ketë dhimbje… Shqetësimet që transmeton nëna e bëjnë fëmijën të ndjehet i shqetësuar, i frikësuar, i pasigurt në vetvete. Në këtë mënyrë është e këshillueshme që nëna të mos ankohet në sy të fëmijës pasi ky i fundit do nisë të urrejë foshnjën pasi e sheh si shkaktar të dhimbjeve të nënës.

Në ditën e lindjes është mirë që fëmija të jetë larg atmosferës konfuze. Nëse është në kopsht, në shkollë mund të merret nga gjyshërit, xhaxhai, tezet…duke kaluar një ditë të ngjashme me të tjerat. Ndërkohë që nëna mund të jetë e shtruar në spital, gjithashtu babai mund të merret më shumë në shtëpi me fëmijën me qëllim që tek ai të mos krijohen ndjenja frike ose vetmie. Edhe kur nëna vjen vëmendja e saj është më shumë tek i sapolinduri kështu babai mund të jetë më shumë i pranishëm duke qëndruar në shtëpi dhe do ishte mirë që të merrte disa ditë pushim.

Mos harroni të ledhatoni vazhdimisht fëmijën e rritur duke e lejuar që të qëndrojë bashkë me ju në ndërrimin e pelenave, në larjen e foshnjës. Situata të tilla i japin arsye të mendojë që nuk është i lënë mbas dore.

Bisedoni dhe flisni me fëmijën tuaj për gjithçka që i sapolinduri nuk e bën dot p.sh: “Beni nuk e kap dot topin, makinën, ai nuk mund të ecë, nuk mund të flasë etj. Ai duhet të mësojë shumë duke e ndihmuar edhe ti”.

Shumë fëmijë i ngacmon dhe i mërzit sjellja e foshnjës duke reaguar me të qara dhe agresivisht. Në këtë rast prindërit duhet të flasin me të për ndjenjat e tij duke e ndihmuar që t’i shprehë ato. Përqafimi nga prindërit do ishte një zgjidhje e mirë pasi fëmija mëson më mirë që të kuptojë veten dhe t’i bashkohet familjes.

Edhe të afërmit e familjes duhet të jenë pak a shumë të ndjeshëm ndaj tij. Nëse do të shkonin mysafirë tek familja që sapo u ka lindur foshnja me dhurata, do ishte mirë që t’i përkushtoheshin edhe fëmijës më të rritur me një dhuratë sado simbolike. Për foshnjën në shtrat nuk ka shumë rëndësi sesa mysafirët mund t’i përkushtohen, ndërsa për atë që është më i rritur ka.

Të dashur prindër, tregojini fëmijës tuaj gjithë vëmendjen dhe dashurinë e duhur. Jepini atij mundësinë të ndiejë se është më i rrituri por jo duke lejuar sjellje të papërshtatshme. Jini të qëndrueshëm në qëndrimet tuaja, por pa treguar inat dhe nerva.