‘Frizerkat’ konkurrencë kirurgëve në Kosovë, rrezikojnë femrat me ndërhyrje estetike

Jetë December 08, 2018 - 17:48
Lexo lajmet e fundit nga jeta

Ndërhyrjet estetike janë shndërruar në biznes në Kosovë. Ato kryhen nga ordinanca me profesionistë mjekësor, por edhe nga biznese si sallone ondulimi ku krahas ngjyrosjes së flokëve ofrohet edhe vendosje e botoksit apo filler. Së fundmi Inspektorati Shëndetësor i MSH-së ka filluar me inspektime nëpër këto biznese, ndërkaq kirurgu Agron Bytyqi tregon rreziqet që mund të ndodhin nga këto ndërhyrje nga persona që nuk janë profesionistë mjekësor

Ndërhyrjet estetike kryesisht tek femrat janë shndërruar në biznese fitimprurëse në Kosovë. Rrjetet sociale janë të mbushura me reklama për fryrje të buzëve, heqjen e rrudhave, apo intervenime tjera estetike. Këto trajtime bëhen në ordinanca nga profesionist mjekësor, por edhe në biznese nga persona që nuk kanë të bëjnë fare me mjekësinë. E kjo po rrezikon shëndetin e femrave.

Mjafton një kërkim në internet për ndërhyrje estetike dhe të shfaqen dhjetëra shërbime. Krahas ngjyrosjes së flokëve, ‘make up’ apo mbjelljes së thonjve, ofrohen edhe mbushje e buzëve me botoks apo filler. Çmimet e tyre variojnë nga 300 euro e më shumë, varësisht madhësisë së buzëve që dëshironi apo sasisë së materialit që vendoset, shkruan Gazeta Shneta.

Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë gjatë këtij viti ka hulumtuar situatën në lidhje me këto shërbime në Kosovë. Kryeinspektorja Dr. Ardita Baraku thotë për Gazetën se këto shërbime direkt ose indirekt ndikojnë në shëndetin e njeriut, prandaj duhet të kenë licencë nga MSH. Por ajo thotë se paraprakisht duhet të përcaktohet se cilat shërbime estetike konsiderohet si shërbime shëndetësore.

“Meqë shërbimet estetike drejtpërdrejtë ose tërthorazi ndikojnë në shëndetin e njeriut (përfshirë edhe shëndetin mendor individual), subjektet që ofrojnë shërbime të kujdesit shëndetësor duhet qenë institucione shëndetësore në sektorin publik ose duhet pasur licencë nga Ministria e Shëndetësisë për ushtrim të pavarur të veprimtarisë shëndetësore. Problem është përcaktimi se cilat shërbime estetike konsiderohen shëndetësore e cilat jo, shembull, ngjyrosja e qerpikëve në krahasim me injektim të botoksit”, ka deklaruar Baraku.

Ajo tregon se ka pasur kërkesa nga Shoqata e Dermatologëve të Kosovës, Shoqata e Kirurgëve Plastik rekonstruktiv-estetik të Kosovës, Shoqata e Kirurgëve Maksillofacial të Kosovës për     rregullim të trajtimeve dhe trajnimeve estetike nga persona jokompetent, të cilat mund të prodhojnë pasoja tek pacientët. E këto pasoja nuk janë fare të vogla. Femrat mund të pësojnë reaksionet alergjike, kruarje, skuqje, infektim në vendin e aplikimit të botoksit, temperatura, nekrozë-vdekje e indit etj. Baraku thotë se me këto pasoja tashmë janë ballafaquar profesionistët shëndetësor në Kosovë.

Këto pasoja i konfirmon edhe kirurgu maksillofacial në QKUK, Dr. Agron Bytyqi. Ai thotë se gjatë këtyre ndërhyrjeve mund të ndodhin komplikime siç janë hematomat, infeksionet të cilat mund të shkojnë deri në komplikime serioze, gjakderdhje, konfigurim jo adekuat i fytyrës, etj. Prandaj sipas tij janë kirurgët maksillofacial, kirurgët oral, kirurgët plastik, specialistët e ORL-së, dermatologët dhe në regjionin e buzëve edhe stomatologët, ata që janë të thirrur profesionalisht për t’i kryer këto shërbime.

Zbrazëtira ligjore, probleme edhe në vendet tjera

Me problemet rreth këtyre shërbimeve përballen edhe vendet si Britania e Madhe. Kryeinspektorja thotë se në këtë shtet gjatë vitit 2017 ka pasur 931 ankesa për probleme shëndetësore si pasojë e aplikimit të procedurave estetike të cilat janë kryer nga persona joprofesionist. Nga inspektimet që janë kryer në Kosovë në 17 subjekte, Baraku thotë se 7 kanë qenë biznese ndërsa 10 institucione private shëndetësore. Në dy prej bizneseve janë gjetur mjekë që kanë punuar, tri është konstatuar se kanë reklamuar shërbimet e mjekëve tjerë, ndërsa në dy prej tyre janë gjetur punëtorë joshëndetësor që kanë kryer këto shërbime.

Baraku deklaron se ka pasur ndalesë të veprimtarisë shëndetësore, por me këtë rast janë identifikuar edhe zbrazëtira ligjore në lidhje me këto shërbime.

“Ka pasur ndalesë për ushtrim të veprimtarisë shëndetësore dhe janë identifikuar edhe zbrazëtirat ligjore të cilat kanë pamundësuar veprime të tjera të mundshme. Shembull, cili profil i profesionistit shëndetësor mund të kryejë shërbime estetike e cili jo, a duhet pasur trajnim shtesë apo vetëm diplomën e mjekut, cilat janë pajisjet obligative të punës etj? Po ashtu, kjo çështje është adresuar në MSh, si nevojë për rregullimin të kësaj çështje me akte juridike”, ka deklaruar Baraku.

Kirurgu Bytyqi ka theksuar se janë në dijeni të komplikimeve që kanë ndodhur në shumë raste, por fatkeqësisht për përmirësimin e tyre nuk kërkohet ndihmë në QKUK. “Shumica prej tyre shkojnë në Shkup nëse kanë komplikime”, ka thënë ai.

Bytyqi ka shtuar se janë disa kompani që bëjnë shitjen e materialeve, e të cilat organizojnë trajnime për këto ndërhyrje. “Pa asnjë kriter japin certifikata gjoja se kanë të drejt të merren me këtë fushë. Ata të vetmin qëllim e kanë shitjen, kurse pacientin duhet ta ruajnë institucionet siç është në këtë rast Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Bytyqi. /Gazeta Shneta/