Dy motra refugjate nga Kosova në Suedi: Fotoja që po drithëron gjithë botën

Dy motra refugjate nga Kosova në Suedi: Fotoja që po drithëron gjithë botën

Jetë prill 17, 2018 - 13:25
Shiko foton

Konkursi i përvitshëm “World Press Photo Contest 2018” ka publikuar gjithë çmimet kryesore për fotot më të mira të vitit, ku njëra prej tyre tregonte dy motra refugjate nga Kosova.

Magnus Wennman është foto-reporteri suedez, i cili në mars të vitit 2017 shkrepi foton drithëruese.

Xheneta (djathtas) është shtruar në spital dhe nuk reagon për dy vite e gjysmë. Pranë saj gjendet e motra, Ibadetja, e cila reagoi për herë të fundit 6 muaj më parë. Të dyja vuajnë nga “Sindroma e Dorëheqjes” (Resignation Syndrome) në Horndal të Suedisë.

Kjo sindromë lidhet me një çrregullim afatgjatë që prek kryesisht fëmijët dhe adoleshentët e traumatizuar psikologjiksht gjatë procesit të gjatë e të vështirë të migrimit nga njëri vend në tjetrin. Xheneta dhe Ibadetja janë refugjate nga Kosova të cilat janë prekur pikërisht nga ky çrregullim i tmerrshëm; ato janë pasive, nuk lëvizin, nuk flasin dhe janë të paafta për të ngrënë apo për të pirë. Pra, nuk stimulojnë dot lëvizjet fizike.

Shkaqet nuk janë ende të qarta, por pjesa më e madhe e ekspertëve janë të mendimit se traumat janë shkaktari kryesor.

Siç edhe publikohet në faqen e “World Press Photo”, sindroma ka prekur një numër të madh të refugjatëve të moshës 7-19 vjeç, të ardhur kryesisht nga ish- vendet sovjetike. Zakonisht përmendet se marrja e një vendbanimi për familjet e të sëmurëve ka çuar në përmirësimin e shëndetit të tyre.

Fotoja ka marrë çmimin e parë në kategorinë “People” dhe është publikuar gjerësisht.