Komunat serbe në mbrojtje të “Trepçës”

Ekonomia June 23, 2016 - 08:11

Një mbledhjen e kryetarëve të komunave serbe, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Graçanicë dhe Novo Bërdë, me drejtorin e “Trepçës” në veri, Jovan Dimkiq dhe me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq është mbajtur në ambientet e kombinatit “Trepça” në veri të Mitrovicës, të martën.

Sipas portalit “Kossev”, ata kanë vendosur që vendimet për fatin e “Trepçës” nuk mund të jenë të njëanshme, duke pasur parasysh faktin se kapacitetet kryesore të këtij sistemi ndodhen në territorin e komunave me shumicë serbe. “Komunat veriore thjesht do të vihen në mbrojtje të ‘Trepçës’, janë shprehur të vendosur, në mbledhjen e së martës, 6 kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e Kosovës, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Graçanicë dhe Novo Bërdë, drejtori i ‘Trepçës’, Jovan Dimkiq, në prani te ministrit për Administrimin e Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq dhe ndihmësit të drejtorit për Kosovë Petar Petkoviq”.  

“Ata janë mbledhur në selinë e kombinatit “Trepça – Veri” në Zveçan, me iniciativën e kryetarëve të këtyre komunave, për të biseduar rreth çështjeve aktuale që lidhen me të ardhmen e kësaj ndërmarrje”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, të cilin e përcjell “Kossev”. “Përfaqësuesit e pushtetit lokal të këtyre komunave kanë konstatuar se përveç minierës në veri të Kosovës, kapacitetet e xehes të të cilës shtrihen në Serbinë qendrore, për popullin dhe përfaqësuesit e tij politikë është i rëndësishëm dhe gjithashtu janë të rëndësishme edhe xehet në Novo Bërdë, Hajvali, Kishnicë, të cilat ndodhen në territorin e komunës së Novo Bërdës dhe Graçanicës”, thuhet në komunikatë dhe shtohet se kryetarët e komunave kanë konstatuar se “Trepça” , si subjekti më i madh ekonomik në Kosovë, ka rëndësi strategjike për “perspektivën dhe qëndrimin e popullit serb në krahinë”. Në takim i është dhënë mbështetje e parezervë Qeverisë së Serbisë, politikës së saj të ruajtjes dhe avancimit të mëtutjeshëm të “Trepçës”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, më 15 mars ka formuar Komisionin për hartimin e Ligjit për Trepçën”, i cili ka 16 anëtarë, në mesin e të cilëve edhe dy serbë, Ranko Gjokiq e Lubomir Mariq. Por, tre ministrat serbë kanë votuar kundër formimit të këtij Komisioni, ndërkohë që Qeveria e Kosovës ka vazhduar punën për hartimin e Ligjit për “Trepçën”, kështu që AKP-ja ka shpallur tender për studimin e zhvillimit për “Trepçën”, në të cilin janë paraqitur 7 kompani.