Muja: Vetëm pesë për qind e pronave në Kosovë janë në pronësi të grave
Foto: Laura Hasani

Muja: Vetëm pesë për qind e pronave në Kosovë janë në pronësi të grave

Ekonomia October 21, 2026 - 11:56

Gratë rurale në biznes vazhdojnë të përballen me sfida si mungesa e pronës dhe gjithëpërfshirja e tyre. Kështu vlerësuan drejtues të institucioneve në panairin e organizuar me rastin e ditës ndërkombëtare të gruas rurale “EcoKosWomen” dhe Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës.

Shkurije Hasani dhe Drita Kadriu janë në mesin e grave që merren me prodhimin e produkteve bujqësore e që sot janë pjesë e panairit në Ditën Ndërkombëtare të Gruas Rurale. Ato i thanë Radio Kosovës së ky profesion sjell të mira materiale që mundësojnë mirëqenien e familjes, por që përballen edhe me sfida të ndryshme.

“Sivjet i kemi 80 ari, po kemi produkte të ndryshme. Është fitimprurës, do mund shumë,do shpenzime shumë. Zakonisht e bëjë përpunimin e ajvarit të shtëpisë edhe prodhimin e xhemit të kumbullës. Nga institucionet nuk kemi shumë përkrahje, kemi sfida se unë duhet krejt produktet m’i ble vetë, duke filluar prej lëndës së parë krejt i blej”.

E ministri i Bujqësisë, Armend Muja, teksa foli për rëndësinë e grave në të bërit biznes, përmendi disa nga sfidat që ata përballen në biznes që e që sipas tij, është prona dhe gjithëpërfshirja për çka premtoi mbështetje institucionale.

“Një nga problemet thelbësore që ky komunitet ballafaqohet është prona. Siç e dimë, vetëm 5 për qind e pronave në Kosovë janë në pronësi të grave. Me lejoni të them që skema jonë e granateve do të adresojë një qasje gjithëpërfshirëse që ia lejon këtij komuniteti të marrin pjesë aktive në shoqëri dhe në aktivitetin e tyre bujqësor”, tha ai.

Ndërkaq, udhëheqësi i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Naser Bajraktari, tha se gratë në biznes kanë një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin ekonomik të vendit, dhe për këtë arsye është e nevojshme përkrahja e tyre.

Të rëndësishëm rolin e gruas në biznes e vlerësoi edhe drejtoresha e Bujqësisë në Komunën e Prishtinës, Jeta Rafuna. Ajo tutje tha se kjo kategori e grave kanë nevojë për mbështetje institucionale.