Kosova refuzon 27 tonë misër nga Serbia, përmbante aflatoksinë mbi kufirin e lejuar

Kosova refuzon 27 tonë misër nga Serbia, përmbante aflatoksinë mbi kufirin e lejuar

Ekonomia October 15, 2026 - 15:40

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka refuzuar importin e 27 tonëve misër merkantil nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konstatuar nivel të lartë të aflatoksinës, mbi kufirin e lejuar.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në ngarkesën prej 27 mijë kilogramësh misër, të importuar nga operatori ekonomik “Ideal Group” SHPK, është konstatuar aflatoksinë në nivel prej 33 mikrogramësh për kilogram (µg/kg).

Ky nivel tejkalon kufirin e lejuar prej 20 µg/kg. Rezultati është konfirmuar edhe përmes superanalizës së realizuar nga laboratori referent në Austri.

Pas konstatimit të këtyre rezultateve, AUV-i ka nxjerrë vendim për refuzimin e importit dhe kthimin e të gjithë sasisë në vendin e origjinës.

Ministria e Bujqësisë ka bërë të ditur se kontrollet rigoroze ndaj importeve do të vazhdojnë, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe parandalimit të hyrjes në tregun e Kosovës të produkteve që nuk i përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.

Sipas Ministrisë, kontrollet e intensifikuara do të vazhdojnë me tolerancë zero ndaj produkteve që tejkalojnë kufijtë e lejuar të substancave të dëmshme. /Zëri