AKB: Kosova ka institucionet, tani radhën e ka ekonomia

AKB: Kosova ka institucionet, tani radhën e ka ekonomia

Ekonomia October 07, 2026 - 18:55

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka kërkuar që pas kompletimit të institucioneve të vendit, fokusi të zhvendoset në zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen e sektorit privat.

Në mbledhjen e radhës së Bordit Drejtues të AKB-së, ku u diskutua situata politike dhe ekonomike dhe ndikimi i saj në sektorin privat, u vlerësua se Kosova tashmë ka institucione të kompletuara pas zgjedhjes së Presidentit të Republikës.

AKB ka theksuar se kjo situatë duhet të shfrytëzohet për t’i dhënë vendit stabilitet institucional dhe një orientim të qartë drejt zhvillimit ekonomik.

“Kosova ka institucione – tani radhën e ka ekonomia!”, thuhet në qëndrimin e AKB-së.

Sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve, Qeveria duhet të përmbushë me urgjencë kriteret dhe obligimet që dalin nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian, në mënyrë që Kosova të përfitojë plotësisht nga mundësitë financiare dhe ekonomike që ofron ky mekanizëm.

AKB ka përcjellë edhe një mesazh të qartë për politikën, duke kërkuar që zhvillimi ekonomik të mos pengohet nga zhvillimet politike.

“Politika nuk duhet të jetë pengesë për ekonominë. Bizneset kanë nevojë për stabilitet, institucione funksionale, investime, punësim dhe vendimmarrje të përgjegjshme”, thuhet në reagim.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se stabiliteti institucional duhet të shndërrohet në zhvillim ekonomik.

“Kosova duhet ta kthejë stabilitetin institucional në zhvillim ekonomik”, ka thënë Shahini.