Rizvanolli: Dy kompani amerikane kanë dorëzuar oferta për projektimin dhe ndërtimin e baterive

Rizvanolli: Dy kompani amerikane kanë dorëzuar oferta për projektimin dhe ndërtimin e baterive

Ekonomia October 01, 2026 - 13:13

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se dy kompani amerikane kanë dorëzuar oferta për projektimin dhe ndërtimin e sistemit të baterive për ruajtjen e energjisë në Kosovë.

Rizvanolli ka njoftuar se tashmë ka nisur faza e vlerësimit të ofertave, ndërsa synimi është që ndërtimi i projektit të nisë vitin e ardhshëm.

Sipas saj, sistemi do të ketë kapacitet prej 340 MWh dhe do të ndërtohet në Istog dhe Ferizaj.

“Me kapacitet prej 340 MWh në Istog dhe Ferizaj, po i afrohemi realizimit të një prej investimeve më të mëdha në sektorin e energjisë në dekadat e fundit”, shkroi Rizvanolli.

Projekti është pjesë e Programit Kompakt, me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, i bashkëfinancuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeverisë së Kosovës.

Rizvanolli ka falënderuar partnerët amerikanë, MCC-në dhe ekipin e MCA-Kosovës për kontributin në projekt, të cilin e ka lidhur me forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës. /Zëri