Qeveria miraton ndryshimet në Projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave, Murati: Kushti i fundit për anëtarësim në SEPA
Foto: Laura Hasani

Qeveria miraton ndryshimet në Projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave, Murati: Kushti i fundit për anëtarësim në SEPA

Ekonomia September 30, 2026 - 11:12

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ndryshimet synojnë përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit të Kosovës me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.

“Projektligj synon harmonizimin e mëtejmë të legjislacionit të Kosovës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit me standardet e FATF-së (Financial Action Task Force) dhe të Bashkimit Evropian. Përmes tij forcohen masat parandaluese, transparenca, kompetencat institucionale dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Ndryshimet gjithashtu adresojnë kërkesat për avancimin e procesit të Bankës Qendrore të Kosovës drejt anëtarësimit në SEPA (Single Euro Payments Area) dhe mbështesin procesin e integrimit evropian”, tha Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se bëhet fjalë për kushtin e fundit ligjor që duhet të përmbushet në mënyrë që Kosova të plotësojë të gjitha kriteret për anëtarësim në SEPA.

“Siç e përmendi edhe kryeministri, pra bëhet fjalë për ligjin apo pikën e fundit, kushtin e fundit i cili duhet të kalohet, pra të miratohet nga Kuvendi, në mënyrë që ne t’i plotësojmë të gjitha kushtet sa i përket anëtarësimit tonë në SEPA. Pra, anëtarësim i cili do të mundësojë uljen e tarifave për transferat ndërkombëtare, pra edhe kursime dhjetëramilionëshe apo, më saktë, 58 milionë euro në vit tarifa bankare për transferat ndërkombëtare që paguajnë bizneset tona, por edhe bashkatdhetarët tanë pra për të transferuar remitancat në Kosovë”, tha Murati.

Murati theksoi se kjo është hera e tretë që Projektligji procedohet në mbledhjen e Qeverisë, pasi dy herë më parë ishte dërguar në Kuvend.

“Siç edhe ju e dini, është hera e tretë pra që po procedohet ky ligj në mbledhje të Qeverisë. Dy herë të kaluara pra ishte proceduar në Kuvend. Herën e parë kishte kaluar në Kuvend, por që Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar për shkaqe procedurale, pra në miratimin e seancës në fund të vitit 2024 që është bërë. Herën e dytë ishte pra këtë vit, pra në mandatin e kaluar të Kuvendit, në legjislaturën e kaluar, arriti të kalojë në leximin e parë, mirëpo leximi i dytë nuk arriti të përmbushet meqenëse Kuvendi u shpërnda”, tha ministri.

Ai tha se tashmë Projektligji po procedohet për herë të tretë dhe shprehu shpresën që Kuvendi ta miratojë atë, në mënyrë që qytetarët dhe bizneset të përfitojnë nga ulja e tarifave për transferet ndërkombëtare.

“Pra, kjo është hera e tretë dhe po e procedojmë edhe një herë, dhe nuk do t’i shkoja më gjatë meqenëse të gjithë e dini, pra jeni të njoftuar me projektligjin. Dhe nuk po marr më shumë kohë meqenëse ka edhe pika të tjera, prandaj ju ftoj për miratim dhe shpresoj që kësaj radhe Kuvendi të kryejë punën e vet dhe ta miratojë këtë ligj në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve të kursejnë në tarifat për transferat ndërkombëtare”, tha Murati.