Sveçla: Vendimi për dhënien e Tulltores në shfrytëzim për 50 vjet, i paligjshëm
Kryesuesi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka deklaruar se vendimi për dhënien në shfrytëzim të Tulltores së qytetit për 50 vjet është në kundërshtim me ligjin.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se ky është vlerësim i Departamentit Ligjor të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
“Departamenti Ligjor i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal ka vlerësuar se vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës për dhënien në shfrytëzim të Tulltores së qytetit për 50 vjet është në kundërshtim me normat ligjore që rregullojnë këtë fushë”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka theksuar se Tulltorja vazhdon të jetë në pronësi dhe menaxhim të Komunës së Prishtinës.
“Tulltorja mbetet në pronësi dhe menaxhim të Komunës së Prishtinës”, ka deklaruar ai.
Sveçla i ka bërë thirrje kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, të ndalojë përpjekjet për tjetërsimin e pasurisë publike.
“Ftojmë kryetarin e kryeqytetit të ndalojë përpjekjet për tjetërsimin e pasurisë publike të qytetarëve të Prishtinës”, shkroi ai.
Sipas tij, projekti i planifikuar për Tulltoren duhet të realizohet nga Komuna e Prishtinës dhe të financohet përmes buxhetit komunal.
“Projekti i paraparë për Tulltoren duhet të financohet nga buxheti komunal dhe të realizohet nga vetë Komuna”, përfundoi Sveçla.