DHTIK-ja kërkon ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e procedurave të pronës publike

DHTIK-ja kërkon ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e procedurave të pronës publike

Ekonomia September 25, 2026 - 08:49

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovës i është drejtuar Kryeministrit të Kosovës dhe Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me kërkesë për ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e procedurave që lidhen me shfrytëzimin e pronës publike dhe për përshpejtimin e ndryshimeve në Ligjin për Pronën Publike.

Sipas një njoftimi për media thuhet se DHTIK-ja shpreh shqetësimin e saj për vonesat dhe pengesat administrative, me të cilat po përballen bizneset, e cila po ndikon negativisht në aktivitetin ekonomik, humbje të tregut, të vendeve të punës, të investime dhe sigurinë juridike të bizneseve.

"Pavarësisht se Qeveria e Kosovës u ka dhënë dritën e gjelbër tri kompanive që të marrin në shfrytëzim pronën publike, ato vazhdojnë të përballen me pengesa që ua pamundësojnë fillimin e aktivitetit, pasi Agjencia e Pyjeve të Kosovës i ka kushtëzuar kontratat me përfundimin e procedurës për ndërrimin e destinimit të tokës. Kjo procedurë do të duhej të përfundonte para nënshkrimit të kontratave".

Tutje bëhet e ditur se DHTIK-ja thekson se, për shkak të mosfinalizimit të këtyre procedurave, kompanitë nuk kanë mundur të vazhdojnë me marrjen e lejeve të nevojshme pranë Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), duke mbetur të bllokuara edhe pas marrjes së kontratave.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura është kompleksiteti i procedurave. Për shkak të burokracisë së theksuar, një biznes mund të presë pothuajse një vit për përfundimin e procesit të marrjes së lejes për shfrytëzimin e pronës publike.

“Janë me qindra kërkesa të deponuara prej kohësh në Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, të cilat vazhdojnë të mos përcillen në Zyrën për Administrimin e Pronës Publike për trajtim të mëtejshëm. Bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës, është evidentuar rritje e vazhdueshme e importit të zhavorrit, ku Serbia prin në listën e vendeve nga të cilat importohet ky material. Për DHTIK-në, vonesat në aktivizimin e kapaciteteve vendore ndikojnë në kostot e kompanive dhe në realizimin e projekteve dhe investimeve”.

DHTIK-ja kërkon që procedurat të rishikohen në mënyrë tërësore, me qëllim eliminimin e burokracisë së panevojshme, reduktimin e numrit të institucioneve të përfshira dhe shkurtimin e afateve për trajtimin e kërkesave.

Dhoma e konsideron urgjente përfundimin e ndryshimeve në Ligjin për Pronën Publike, si dhe vendosjen e një mekanizmi të qartë të koordinimit ndërinstitucional dhe të përcjelljes së kërkesave, me afate të përcaktuara për secilin institucion, me synim krijimin e një kuadri më të qartë, më efikas dhe më të parashikueshëm për bizneset dhe investitorët.