Gërxhaliu: Inflacioni po rëndon familjet, pagat nuk i mbulojnë shpenzimet
Foto: Laura Hasani

Gërxhaliu: Inflacioni po rëndon familjet, pagat nuk i mbulojnë shpenzimet

Ekonomia September 20, 2026 - 11:11

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se Kosova po përballet me shqetësime të mëdha sociale dhe ekonomike, duke theksuar se rritja e inflacionit dhe çmimeve po rëndon standardin e jetesës së qytetarëve.

Gërxhaliu ka thënë se rritja e çmimeve po rëndon familjet, ndërsa pagat minimale dhe mesatare, sipas tij, nuk janë në përputhje me shpenzimet e nevojshme për një jetë normale.

“Duhet të kuptojmë që aspekti social në Kosovë është mjaft shqetësues nga fakti që jemi shndërruar në një shtet të varur nga importi. Dhe krahas rritjes së importit të produkteve, jemi duke importuar inflacion, dhe në këtë drejtim definitivisht mungesa e një dialogu të mirëfilltë me sektorin privat, mungesa e stabilitetit politik, mungesa e investimeve të huaja dhe mungesa e motivimit për t’u orientuar në prodhim është duke e dëmtuar Kosovën”, tha ai.

Gërxhaliu ka deklaruar se inflacioni në Kosovë është mbi shtatë për qind dhe se pagat duhet të llogariten në raport me lëvizjet e çmimeve.

“Sot e kemi një inflacion që është mbi shtatë përqind, është inflacioni më i madh në Ballkanin Perëndimor, është dyfishi i inflacionit që e kanë vendet e Bashkimit Evropian, dhe në këtë drejtim besoj që duhet gjithmonë paga, qoftë minimale, qoftë mesatare, të jetë e llogaritur në trendet dhe lëvizjet e inflacionit në shtetin tonë”, tha ai.

Ai ka marrë si shembull rritjen e çmimit të peletit dhe produkteve elementare, duke thënë se pagat aktuale nuk i mbulojnë shpenzimet e një familjeje katëranëtarëshe.

“Paradoksi më i madh është fakti që jemi duke hyrë në sezonin e dimrit. Në vitin e kaluar një ton i peletit ka kushtuar afër dyqind e njëzet deri në dyqind e dyzet euro varësisht nga kualiteti, sot i njëjti kushton katërqind e tetëdhjetë deri në pesëqind, dhe a nuk është kjo dëshmi më e mirë se sa është shkalla e inflacionit? Shikoni një kilogram kafe, shikoni shumë produkte elementare, pothuajse e kanë përjetuar dyfishin e ngritjes së çmimit, dhe kjo pagë, qoftë minimale, qoftë mesatare, nuk mund t’i arsyetojë shpenzimet e një familjeje katëranëtarëshe”, tha ai.

Sipas Gërxhaliut, një familje katëranëtarëshe do të duhej të kishte mbi 1 mijë e 200 euro të hyra mujore për një jetë normale, ndërsa ai ka kërkuar më shumë orientim drejt zhvillimit ekonomik dhe rritjes së eksporteve.

“Në rrethana normale, një familje katëranëtarëshe për një jetë jo të luksit, po për një jetë normale, duhet të ketë më tepër se një mijë e dyqind euro të hyra, dhe këtë luks apo këtë komoditet nuk kanë shumë familje mundësi që ta shijojnë. Prandaj besoj që është koha kur duhet të avancohet një dialog më i madh në aspektin e partneritetit publiko-privat, duhet të kemi Këshillin Ekonomik Social në funksion, duhet definitivisht të jemi të orientuar drejt ekonomisë. Shteti nuk mbahet me ndihma sociale, nuk zgjidhen problemet e Kosovës përmes barazisë në varfëri. Duhet kreativitet, duhet inovacione, duhet zhvillim, dhe duhet të përmirësohen parametrat ekonomikë në mënyrë substanciale, në veçanti rritja e eksportit të prodhimeve ‘Made in Kosova'”, tha ai.

Gërxhaliu ka thënë se pjesë e madhe e pagës shkon për energji, obligime dhe ushqim, duke kërkuar që sektori privat të ketë rol më të madh në zhvillimin ekonomik.

“Duhet të kuptohet e vërteta që një pagë minimale është sot 500 euro e paraparë, një pagë mesatare është 730 euro bruto, dhe nga kjo pagë 40 përqind shkojnë për energji dhe për obligime të një jetë normale, pjesa tjetër shkon për ushqim. Definitivisht kur e krahason apo e shpërndan këtë pagë, qoftë minimale, qoftë mesatare, në nevojat elementare të familjeve tona, vërtet ka pak hapësirë për një standard të nivelit më të lartë. Është e vërtetë që inflacioni është sëmundje kancerogjene e çdo shoqërie, po edhe e Kosovës, por duhet tani Qeveria e Kosovës të shijojë dorën e shtetit përmes masave jo sociale, po të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Dhe në këtë drejtim besoj që është koha kur ekonomia duhet të depolitizohet, është koha kur duhet sektori privat të faktorizohet, dhe përmes këtij dialogut të mirëfilltë të gjejmë mekanizma apo modalitete si të dilet dhe të stabilizohet ekonomia e Kosovës. Nuk ka stabilitet social pa zhvillim ekonomik, po në të njëjtën kohë nuk ka stabilitet politik prapë pa zhvillim ekonomik”, tha ai./EO