Tenderi për urën në Veternik - ndahen 10 milionë euro për mbikalimin, nënkalimin dhe lidhjet rrugore
Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) kanë planifikuar bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e urës në Veternik, mbi "Rrugën A”, me vlerë të parashikuar prej 10 milionë eurosh.
Sipas të dhënave të përfshira në dosjen e tenderit, financimi i projektit është planifikuar të shtrihet në disa vite, deri në vitin 2029.
Për vitin 2026 Komuna e Prishtinës ka paraparë një milion euro, ndërsa MMPHI-ja dy milionë euro.
Në vitin 2027, Komuna planifikon të ndajë një milion euro, kurse Ministria 1.5 milion euro.
Për vitin 2028, sipas planifikimit të paraqitur në dokumentacion, Komuna do të ndajë dy milionë euro, ndërsa MMPHI-ja 1.5 milion euro.
Ndërkaq, për vitin 2029 është paraparë që Komuna e Prishtinës të ndajë edhe një milion euro për këtë projekt.
Tenderi me titullin “Ndërtimi i urës (Mbikalimi dhe Nënkalimi për vetura dhe automjete) në Veternik mbi 'Rrugën A' – Bashkëfinancim me MMPHI-në” është hapur më 11 gusht 2026.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 14 shtatori 2026, në ora 13:30.
Çfarë parasheh projekti në Veternik?
Sipas përshkrimit teknik të përfshirë në dosjen e tenderit, në këtë zonë është planifikuar një nyje shumëfunksionale që do të përfshijë rrethrrotullim, rampa lidhëse dhe nënkalim.
Projekti synon të mundësojë shpërndarjen e trafikut ndërmjet rrugës “A”, lagjes “Kalabria” dhe rrjetit ekzistues rrugor të Veternikut, raporton Telegrafi.
Sipas dokumentacionit, rrethrrotullimi do të shërbejë për organizimin e lëvizjes së automjeteve në drejtime të ndryshme, ndërsa "Rruga A” do të kalojë përmes nënkalimit.
Në këtë mënyrë, sipas projektuesve, qarkullimi në aksin kryesor do të vazhdojë pa ndërprerje nga trafiku lokal.
Lidhja e rrugës “A” me lagjen “Kalabria” parashihet të realizohet përmes rampave hyrëse dhe dalëse, të cilat do të mundësojnë qasje në të dy drejtimet.
Në kuadër të projektit janë paraparë edhe rampa që lidhin zonën e Veternikut dhe atë të Spitalit me "Rrugën A”.
Dokumentacioni parasheh gjithashtu ndërtimin e trotuareve në të dy anët e rrugëve, të cilat do të pajisen me shirita taktilë orientues për personat me dëmtime në shikim.
Sipas dosjes së tenderit, organizimi i korsive dhe sinjalizimit është konceptuar për të rritur rrjedhshmërinë e trafikut dhe sigurinë e automjeteve e këmbësorëve, si dhe për ta integruar nyjën e re me infrastrukturën ekzistuese.
Me realizimin e këtij projekti synohet krijimi i një lidhjeje më të drejtpërdrejtë ndërmjet "Rrugës A” dhe “Kalabrisë”, përmirësimi i lidhjes së Veternikut me rrjetin primar rrugor dhe qasja më efikase drejt kompleksit spitalor.
Një tjetër objektiv i projektit është eliminimi i konflikteve të trafikut në aksin kryesor përmes nënkalimit, si dhe rritja e kapacitetit dhe sigurisë së rrjetit rrugor në këtë pjesë të Prishtinës.
Sipas dosjes, ndërhyrja pritet të përmirësojë lidhshmërinë e pjesës jugore të kryeqytetit me "Rrugën A”, duke ndikuar në kohën e udhëtimit dhe sigurinë në komunikacion.