Rizvanolli për eksportin e thëngjillit: Tani po përfiton KEK-u dhe Kosova
Foto: Laura Hasani

Rizvanolli për eksportin e thëngjillit: Tani po përfiton KEK-u dhe Kosova

Ekonomia August 18, 2026 - 22:15

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka publikuar dy video në rrjetet sociale, përmes të cilave ka sqaruar kontratën e KEK-ut për eksportimin e thëngjillit në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se nga kjo marrëveshje KEK-u mund të sigurojë deri në 73.2 milionë euro të hyra shtesë gjatë tre viteve të ardhshme.

“Deri në 73.2 milionë Euro të hyra shtesë për KEK-un nga eksporti i thëngjillit”, ka shkruar Rizvanolli në përshkrimin e videos së parë.

Rizvanolli ka thënë se Maqedonia e Veriut deri më tani ka importuar thëngjill nga Greqia, ndërsa tani do të importojë vetëm nga Kosova.

“KEK-u do të eksportojë në Maqedoninë e Veriut deri në 73.2 milionë euro përgjatë tre viteve në vijim”, ka thënë Rizvanolli.

Sipas saj, kjo nënkupton të hyra shtesë për KEK-un dhe Kosovën, pa pasoja negative për prodhimin e energjisë elektrike apo të thëngjillit.

“Kjo do të thotë të hyra shtesë për KEK-un dhe për Kosovën, por asnjë pasojë negative për prodhimin e energjisë elektrike ose të thëngjillit, sepse ne kemi mjaftueshëm rezerva të thëngjillit”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo ka bërë të ditur se ESM, kompania publike maqedonase, do ta bëjë vetë eskavimin, logjistikën dhe transportin.

Në videon e dytë, Rizvanolli ka folur për çmimin me të cilin KEK-u e ka shitur më herët thëngjillin dhe mënyrën se si, sipas saj, janë realizuar kontratat.

“E ku është pra problemi, pse disa po bëjnë shumë zhurmë për shitjen e thëngjillit? Problemi sigurisht që nuk është që eksportojmë thëngjill, sepse thëngjill kemi mjaftueshëm, 12 miliardë ton rezerva”, ka thënë Rizvanolli.

Sipas saj, dallimi qëndron te mënyra e lidhjes së kontratave dhe çmimi i shitjes.

“Problemi është që kontratat më nuk po bëhen sikur dikur. KEK-u e shiste thëngjillin me 8 euro për ton, duke përfshirë transportin, TVSH-në e pa fitim fare, nëse llogariten shpenzimet e heqjes së djerrinës”, ka thënë Rizvanolli.

Ajo ka shtuar se tani KEK-u po e shet thëngjillin me çmim më të lartë.

“Tash, KEK-u po e shet 24.4 euro për ton, pra gati gjashtëfish më shumë sesa që e shiste më herët. Dhe kjo nuk është e rastësishme”, ka thënë Rizvanolli.

Rizvanolli ka thënë se më herët kontratat bëheshin përmes ndërmjetësuesve privatë.

“Përpara, kontratat bëheshin përmes ndërmjetësuesve të sektorit privat, të cilët e blinin lirë nga KEK-u e shisnin shumëfish më shtrenjtë në Maqedoni”, ka thënë ajo.

“Pra, çështja është që tani po përfiton KEK-u e shteti i Kosovës dhe nuk po përfitojnë disa-disa”, ka shtuar Rizvanolli.

Në përshkrimin e videos së dytë, Rizvanolli ka shkruar: “Për disa nuk ishte problem kur thëngjilli i Kosovës shitej për 8€/ton (3.78€ pa tantiemë e TVSh) e nga stërshitja e tij në Maqedoni përfitonin individë e kompani. Mirëpo, tash që nuk po fitojnë ata por po fiton KEK-u duke e shitur gati 6-fish më shumë (21.4€ nga 3.78€ pa tantiemë e TVSh), eksporti na bë problem e ‘skandal’”. 

https://www.facebook.com/watch/?v=2135652137307340