Kosova dhe Gjermania forcojnë bashkëpunimin ekonomik, Prishtina synon investime të reja
Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka pritur sot përfaqësuesit e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, me të cilët ka diskutuar për organizimin e Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar 2026 dhe mundësitë konkrete të bashkëpunimit që mund të krijohen në kuadër të këtij organizimi.
Gjatë takimit është vënë theksi në rëndësinë e lidhjes së bizneseve me institucionet, tërheqjes së investimeve të huaja dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillimin ekonomik të kryeqytetit.
Komuna e Prishtinës ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur nismat që kontribuojnë në fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë–Gjermani dhe në krijimin e një klime më të favorshme për investime dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Forumi Ekonomik Gjermano-Kosovar 2026 pritet të shërbejë si një platformë e rëndësishme për krijimin e kontakteve të reja ndërmjet bizneseve dhe institucioneve, si dhe për identifikimin e mundësive konkrete për investime dhe partneritete të reja.
Bashkëpunimi me partnerët gjermanë shihet si një mundësi për të sjellë kapital, ekspertizë dhe modele të reja zhvillimi, duke i dhënë një shtysë të mëtejshme ekonomisë së Prishtinës dhe Kosovës.