Në kushte të rënda, ish-pjesëtari i UÇK-së kërkon ndihmë për një shtëpi
Gëzim Curri ishte njëri ndër pjesëtarët më të rinj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot, ai përballet me kushte të rënda ekonomike.
Ai jeton në Gjakovë, në një shtëpi pa kushte, së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët.
“Unë kam qenë në luftë në Koshare pa i bërë 17 vjet. Jam në gjendje të keqe financiare, jam i plagosur. I lus diasporën, shqiptarët e Amerikës dhe të Kosovës të më ndihmojnë për të siguruar një vendbanim. Pika e parë, bukë nuk kemi për të ngrënë. E dyta, vendbanimi është problem. Shtëpia është në gjendje të keqe. Kur e heqim tepihun, dalin edhe gjarpërinjtë. Unë marr 270 euro pension të luftës. Invaliditetin ma kanë pranuar vetëm 25 për qind. Jam i plagosur në shpinë”, thekson ai.
Bashkëshortja e tij thotë se e vetmja e ardhur e rregullt mujore e familjes është pensioni invalidor, shumë kjo që nuk mjafton për të mbuluar nevojat dhe obligimet e familjes.
“Unë kam punuar dhe jam e aftë të punoj përsëri, por problem po qëndron te burri dhe fëmijët. Burri ka ankth dhe depresion, ndërsa fëmijët kanë frikë të qëndrojnë vetëm, sepse shtëpia është e shkatërruar dhe kanë frikë mos del ndonjë gjarpër. Shpesh ndodh që fëmijët flenë edhe pa bukë. Kur kërkojnë ushqim, duhet të dal të marr para borxh. Pastaj, kur merret pensioni, ai shkon për të paguar borxhet”, tha ajo
Familja Curri u bën thirrje institucioneve, diasporës dhe shoqërisë civile për ndihmë dhe mbështetje, në mënyrë që të sigurojnë kushte më të mira për jetesë.