IQMT: Largohen nga tregu shtatë produkte qumështi që nuk kanë deklaruar përmbajtjen e vajit të palmës
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka vazhduar, inspektimet në treg lidhur me produktet e qumështit me bazë bimore, në zbatim të masave të ndërmarra nga AUV-i. Inspektimet janë zhvilluar në Prishtinë, Gjilan, Podujevë, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe Suharekë.
Gjatë ditës së sotme janë realizuar gjithsej 12 inspektime në markete të ndryshme, ku janë evidentuar produkte të ndaluara për shitje nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Gjatë inspektimeve të sotme janë tërhequr nga tregu këto produkte:
Schmand, VITA 18%, 180 g;
Schmand, VITA 18%, 400 g;
Schmand, VITA 18%, 800 g;
Holla Cooking Cream, 1 L;
Holla Barista, 3.8%, 1 L;
Mazë tradicionale, DRENA, 1 kg;
Schmand i freskët, BYLMETI.
Gjatë ditëve në vijim, inspektorët e IQMT-së do të fillojnë shqiptimin e gjobave, në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-279 për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ndaj operatorëve ekonomikë që ende nuk kanë bërë tërheqjen e produkteve të evidentuara si të papajtueshme me raportin e AUV-it.
IQMT ka intensifikuar gjithashtu bashkëpunimin me konsumatorët përmes platformës së komunikimit në Viber, në numrin +383 (0) 46 311-000, ku gjatë kësaj periudhe janë pranuar ankesa nga konsumatorë të cilët kanë raportuar se kanë hasur në markete të ndryshme produkte të ndaluara për shitje.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë pa vonesë urdhrat për tërheqjen e produkteve të përcaktuara nga autoritetet kompetente, duke respektuar vendimet e AUV-it dhe legjislacionin në fuqi.