Bizneset shqiptaro-gjermane kërkojnë bashkëpunim më të madh: Synim investimet strategjike në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Bizneset shqiptaro-gjermane kërkojnë bashkëpunim më të madh: Synim investimet strategjike në Kosovë

Ekonomia August 08, 2026 - 14:33

Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka mbajtur të premten në Prishtinë një takim me pjesëmarrjen e dhjetëra bizneseve dhe kompanive, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet bizneseve shqiptare në Kosovë dhe atyre që veprojnë në Gjermani.

Kryetari i Bordit të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, Zenun Krasniqi, tha se synimi i organizatës nuk është vetëm njohja ndërmjet bizneseve, por krijimi i bashkëpunimeve konkrete, partneriteteve afatgjata dhe investimeve të përbashkëta, shkruan Zëri.info.

“Objektivi ynë nuk është vetëm që bizneset të njihen mes vete, por që këto të fillojnë bashkëpunimin, partneritete afatgjata mes veti dhe të investohet së bashku. Shqiptarët kanë ndërtuar kompani të suksesshme në Gjermani dhe vende të tjera në Evropë. Kemi përvojën, profesionalizmin dhe kapitalin dhe tani është koha që këtë potencial të bizneseve tona ta bashkojmë dhe të orientohemi drejt projekteve strategjike në Kosovë dhe trojet shqiptare”, tha Krasniqi.

Image

Ai falënderoi kryetarin e nderit të Unionit, Lazim Destanin, për mbështetjen e vazhdueshme dhe kontributin në zhvillimin e organizatës, si dhe anëtarët e tjerë për angazhimin e tyre.

Destani në fjlën e tij para të pranishmëve tha se bashkëpunimi ndërmjet bizneseve kosovare dhe atyre në Gjermani duhet të ngrihet në një nivel më të lartë, përmes krijimit të një sinergjie strategjike.

Image

“Bashkëpunimi mes bizneseve kosovare dhe atyre në Gjermani ka tejkaluar shkëmbimet e rëndësishme tregtare. Sot ne jemi këtu për ta ngritur më lartë bashkëpunimin tonë përmes një sinergjie të fuqishme strategjike”, deklaroi Destani, shkruan Zeri.info.

Sipas tij, bashkëpunimi ekonomik duhet të shoqërohet edhe me investim në potencialin e të rinjve, veçanërisht në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Image

“Përmes kësaj sinergjie dëshmojmë se, kur punojmë me vizion, fuqia jonë ekonomike rritet përtej çdo parashikimi, duke garantuar zhvillim të pandalshëm e të qëndrueshëm. Në këtë rrugëtim ne duhet t’u kushtojmë vëmendje të rinjve tanë, të cilët zotërojnë guximin për të marrë iniciativa dhe për të ndjekur zhvillimet e teknologjisë. Unioni do të jetë gjithmonë mbështetje e palëkundur për rininë tonë”, tha ai.

Në takim foli edhe ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili tha se Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane numëron mbi 1000 anëtarë dhe biznese.

Image

“Detyrë e jona është që së bashku këtë kapital ta kanalizojmë dhe këtë nuk mund ta bëjmë vetë. Detyrë mbetet thellimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit që kemi pasur deri më tani”, tha Ajeti,transmeton Zeri.info.

Ai vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke theksuar rëndësinë e diasporës kosovare në këtë shtet.

“Nuk është e rastësishme që Kosova dhe Gjermania kanë raporte të shkëlqyera bilaterale. Nuk kemi asnjë temë të hapur. Në Gjermani, Kosova ka misionin më të madh diplomatik, pasi aty jeton mërgata më e madhe e Kosovës”, tha Ajeti.

Image

Sipas tij, bazuar në statistikat e institucioneve gjermane, në Gjermani jetojnë më shumë se 600 mijë qytetarë të Kosovës.

Ajeti theksoi gjithashtu rëndësinë e Gjermanisë si partneri kryesor tregtar i Kosovës.

“Gjermania është partneri më i madh tregtar i Kosovës. Vitin e kaluar ky bilanc ka qenë 1.8 miliardë euro. Më shumë ka eksporte nga Kosova në Gjermani sesa e kundërta, e gjitha kjo falë bizneseve tona, të cilat janë inovative dhe vazhdimisht kërkojnë tregje të reja”, deklaroi ambasadori.

Ajeti bëri të ditur se Kosova dhe Gjermania kanë finalizuar tekstin e marrëveshjes për eliminimin e tatimit të dyfishtë, duke shprehur shpresën se marrëveshja do të zbatohet së shpejti.

Image

Takimi në Prishtinë u fokusua në mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve shqiptare në Kosovë dhe Gjermani, me theks të veçantë në investimet e përbashkëta, partneritetet afatgjata dhe projektet strategjike./Zëri

Image