AUV-i konstaton shkelje në produkte të qumështit, urdhërohet tërheqja nga tregu
Foto: Laura Hasani

AUV-i konstaton shkelje në produkte të qumështit, urdhërohet tërheqja nga tregu

Ekonomia August 07, 2026 - 23:09

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë masa ndaj Qumështores VITA, pas kontrolleve zyrtare dhe rezultateve laboratorike të Laboratorit të Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (LUVK).

Sipas AUV-së, gjatë kontrolleve janë konstatuar 12 produkte të paraqitura dhe tregtuara si produkte me përmbajtje shtazore, të cilat kanë rezultuar jokonforme për shkak të pranisë së vajit të palmës, qumështit pluhur dhe/ose niseshtes së padeklaruar.Për këto produkte, AUV ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu.

Gjetjet më serioze, sipas Agjencisë, lidhen me produktet e deklaruara si qumësht.

“Katër mostra të katër produkteve të shitura, prezantuara dhe deklaruara si qumësht kanë rezultuar jokonforme: dy me prani të vajit të palmës dhe dy me prani të qumështit pluhur, të padeklaruara për konsumatorin”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

Sipas Agjencisë, të gjitha këto produkte kanë dalë nga i njëjti objekt dhe aktivitet i aprovuar për prodhimin dhe përpunimin e qumështit.

Nga produktet e qumështit të analizuara, vetëm një markë ka rezultuar pa prani të vajit të palmës dhe qumështit pluhur dhe nuk është cilësuar jokonforme.

Megjithatë, AUV ka bërë të ditur se edhe ky produkt është vendosur nën mbikëqyrje të shtuar dhe ritestim të vazhdueshëm, pasi prodhohet në të njëjtin objekt dhe në të njëjtën linjë prodhimi ku janë konstatuar mospërputhjet.

Përveç produkteve me përmbajtje shtazore, kontrollet kanë evidentuar edhe 26 produkte me përmbajtje bimore, të cilat, sipas AUV-së, janë prodhuar jashtë fushëveprimit të aprovimit të operatorit.

Për këtë aktivitet është urdhëruar ndalimi i prodhimit deri në marrjen e aprovimit përkatës nga AUV.

“Raporti evidenton aktivitet me bazë yndyre bimore dhe proteine qumështi, për të cilin gjatë kontrollit nuk ishte paraqitur autorizimi i posaçëm”, thuhet në njoftim.

Masat e ndërmarra nga AUV përfshijnë tërheqjen nga tregu të 12 produkteve jokonforme, mbikëqyrjen e shtuar dhe ritestimin e vazhdueshëm të linjës së qumështit, si dhe ndalimin e prodhimit të 26 produkteve të prodhuara jashtë aprovimit.Po ashtu, është urdhëruar ndalimi i paraqitjes mashtruese të produkteve dhe ndalimi i lëshimit të certifikatave veterinare deri në eliminimin e mospërputhjeve, sipas AUV-së.