“VITA” demanton Ministrin Muja: Publikoni rezultatet e analizave, ndalni shpifjet

“VITA” demanton Ministrin Muja: Publikoni rezultatet e analizave, ndalni shpifjet

Ekonomia August 04, 2026 - 17:32

Kompania VITA ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, duke e akuzuar atë për publikim të informacioneve të paplota dhe duke kërkuar publikimin e menjëhershëm të rezultateve të analizave të mostrave të produkteve.

Sipas VITA-s, në konferencën për media ministri ka prezantuar të dhëna që, sipas kompanisë, gjenden lehtësisht në Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), por nuk ka bërë publike rezultatet e analizave të mostrave.

“Rezultatet e analizave të mostrave nuk u publikuan. Ne jemi të bindur që të gjitha produktet tona janë të etiketuara në përputhje me dispozitat ligjore. Sidoqoftë, Ministria dhe AUVK duhet t’i publikojnë rezultatet e analizave të mostrave, të cilat tash e 33 ditë nuk po na i dërgojnë dhe tanimë janë edhe në shkelje ligjore”, thuhet në reagimin e kompanisë.

VITA i ka bërë thirrje Ministrisë dhe AUVK-së që t’i publikojnë menjëherë rezultatet e analizave.

Kompania ka kundërshtuar edhe pretendimet e ministrit lidhur me furnizimin me ujë dhe numrin e punëtorëve, duke theksuar se është e pajisur me leje ujore dhe impiant për trajtimin e ujërave të ndotura, ndërsa numri i punëtorëve, sipas saj, është i deklaruar në ATK nën emrin e kompanisë Abrazen LLC.

Po ashtu, VITA ka përsëritur se të gjitha produktet e brendit të saj prodhohen nga qumështi i freskët i fermerëve kosovarë.

“Ne garantojmë që të gjitha produktet e brendit ‘VITA’ janë prodhim 100 për qind nga qumështi i freskët i fermerëve kosovarë. Ne mburremi që jemi lider në industrinë e qumështit”, thuhet në reagim.

Në fund, kompania i ka bërë thirrje ministrit Muja që, sipas saj, të ndalë shpifjet, të informohet para deklarimeve publike dhe të mos publikojë të dhëna që i konsideron të manipuluara dhe tendencioze, duke shtuar se veprime të tilla, sipas VITA-s, po favorizojnë importin./Zëri