Ngërçi institucional po rëndon ekonominë, bizneset kërkojnë formimin e shpejtë të institucioneve dhe reforma urgjente
Foto: Laura Hasani

Ngërçi institucional po rëndon ekonominë, bizneset kërkojnë formimin e shpejtë të institucioneve dhe reforma urgjente

Ekonomia August 02, 2026 - 09:36

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Kosovë vlerësojnë se ngërçi institucional që ka shoqëruar vendin gjatë viteve 2025 dhe 2026 po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, reformat dhe klimën e investimeve. Ata paralajmërojnë se mungesa e institucioneve funksionale po pengon vendimmarrjen, ndërsa kërkojnë që pas formimit të institucioneve të ndërmerren reforma të shpejta dhe të emërohen ministra kompetentë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna tha se bllokada institucionale tashmë po reflektohet në treguesit ekonomikë të vendit.

“Po ndikon shumë. Sidomos në pjesën e bërjes së reformave: nuk kemi asnjë reformë në politika fiskale, nuk kemi asnjë reformë te sundimi i ligjit, nuk kemi asnjë reformë në shëndetësi apo në arsim. Dhe çka është më e keqja, kemi nevojë për përmirësim të imazhit të shtetit tonë jashtë, në kuptimin e diplomacisë ekonomike. Duke mos i pasur institucionet fuqiplota, padyshim që po i shohim pasojat. Jemi duke i parë shifrat, rritjen ekonomike e kemi 3.6%, inflacionin mbi 6%. Këta janë indikatorët më të mirë se çka është duke ndodhur në ekonominë e Kosovës si rezultat i bllokadës institucionale”, tha ai.

Sa i përket prioriteteve pas formimit të institucioneve, Rafuna tha se kërkesa kryesore e Odës Ekonomike është emërimi i ministrave profesionalë dhe të aftë për vendimmarrje.

“Fillimisht, kërkesa më e madhe e Odës Ekonomike të Kosovës është që të kemi ministra kompetentë, me integritet dhe profesionalë. Kjo është kërkesa strategjike. Sepse kemi nevojë për ndërmarrjen e veprimeve të shpejta. Kemi nevojë për ministër vendimmarrës. Kemi nevojë për ministër i cili bashkëpunon me sektorin privat, dhe çdo reformë që e ndërmerr, ta bëjë në bashkëpunim me sektorin privat. Nuk kemi nevojë për ministra injorantë, jo kompetentë, apo për ministra që ikin nga dialogu dhe bashkëpunimi me sektorin privat. Fatkeqësisht kemi pasur përvoja të tilla këto vitet e kaluara. Kështu që kërkesa jonë, para së gjithash, është që të kemi ministra kompetentë, vendimmarrës dhe me integritet”, tha ai.

Edhe kryetari i Lidhjes së Bizneseve, Besart Dreshaj për Ekonomia Online, shprehu shqetësimin se vazhdimi i krizës politike do të ketë pasoja të mëdha për zhvillimin e vendit dhe proceset integruese.

“Për fat të keq në qoftë se kemi prapë zgjedhje, atëherë mund të themi se do të humbë Republika e Kosovës fatin e saj të integrimeve, fatin e saj te zhvillimi dhe te zgjerimi, si dhe te diplomacia ndërkombëtare. Pastaj, në aspektin e politikave të brendshme, Kosova do të humbë jashtëzakonisht shumë, sepse Republika e Kosovës e meriton që si vend i ri, si republikë e re që të ketë integrime dhe të ketë bashkëpunime dhe të ketë zgjerime në Bashkimin Evropian edhe më tutje”, tha ai.

Sipas tij, pasojat ekonomike të bllokadës tashmë janë të dukshme, ndërsa paralajmëroi se mungesa e stabilitetit institucional do të dekurajojë investimet e huaja dhe zgjerimin e bizneseve.

“Në aspektin ekonomik, ne kemi të bëjmë me stagnim të zhvillimit ekonomik, kemi të bëjmë me stagnim të legjislacionit në fuqi, dhe kjo ka të bëjë pastaj me të bërit biznes në Republikën e Kosovës. Në qoftë se vazhdohet me këtë ngërç politik dhe bllokim të institucioneve dhe vazhdim pastaj të zgjedhjeve të tjera, atëherë sa i përket investimeve të huaja do të ketë zero investime. Sa i përket zgjerimit të biznesit do të ketë zero zgjerime, dhe kemi të bëjmë pastaj vetëm me mbrojtjen e bizneseve të brendshme. Sepse ne jemi dëshmitarë, ashtu siç jeni edhe ju dëshmitarë edhe opinioni i gjerë, shumë kompani të Republikës së Kosovës kanë filluar që zgjerimin e kompanive të tyre ta bëjnë në tregjet e rajonit, sepse Republika e Kosovës nuk është duke iu ofruar mundësi për zgjerim dhe duke iu ofruar siguri, sepse mbi dy vite kemi ngërç të politikës dhe nuk kemi vendimmarrje në aspektin e lehtësimit të bërit biznes”, theksoi tutje ai.

Dreshaj shtoi se mungesa e reformimit të legjislacionit ekonomik dhe fiskal po e bën Kosovën më pak konkurruese krahasuar me vendet e rajonit.

“Shtetet e rajonit janë duke ofruar politika jashtëzakonisht të mira, një legjislacion jashtëzakonisht të përshtatshëm me periudhën kohore në të cilën po funksionojmë, ndërsa ne kemi ligje të cilat kanë mbetur nga periudha 2015 e tutje, të cilat nuk kanë bërë asnjë plotësim-ndryshim të tyre. Kemi ligjin e investimeve strategjike, i cili ligj është nga 2017–2018 dhe nuk është bërë plotësim-ndryshim i tyre. Kemi pakot fiskale të cilat janë bërë në periudhën kohore 2015–2016, ndërsa nuk kemi asnjë plotësim te pakot fiskale, dhe kjo e bën, në qoftë se vazhdohet prapë me këtë ngërç politik, atëherë nuk kemi të bëjmë pastaj me lehtësim të të bërit biznes, por kemi vetëm me një stagnim dhe me një bllokim të bërit biznes”, tha ai.

Ai u bëri thirrje partive politike që të lënë mënjanë interesat partiake dhe të gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e krizës institucionale.

“Kështu që dua të besoj që spektri politik do t’i lërë interesat e tyre personale, do t’i lërë inatet personale mes liderëve të partive opozitare, por duhet të ulet sepse spektri politik unë mendoj se partitë politike janë në interes të Republikës së Kosovës dhe në interes të qytetarëve. Dhe interesi i qytetarëve nuk është për të vazhduar bllokimin e institucioneve, por është për të bërë një zgjidhje dhe për të bërë një lehtësim sa më të mirë te qytetarët dhe mirëqenia e tyre”, shtoi Dreshaj./EO