Eksporti i mallrave arriti në 226.6 milionë euro
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, njofton se eksporti i mallrave në TM1 2026 arriti në 226.6 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 12.4 përqind.
“Kjo rritje u mbështet kryesisht nga performanca e eksportit të produkteve minerale, të cilat arritën vlerën prej 21.5 milionë euro dhe kontribuuan me 4.7 pikë përqindje në rritjen e përgjithshme, kryesisht si rezultat i rritjes së eksportit të energjisë elektrike. Kontribut të rëndësishëm në rritje dha edhe eksporti i metaleve bazë, që arriti në 54.6 milionë euro dhe kontribuoi me 2.5 pikë përqindje, nxitur nga kërkesa më e lartë për metale bazë në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në raportin “Vlerësimi Tremujor i Ekonomisë”.
Sipas BQK-së, nga këndvështrimi gjeografik, struktura e eksportit vazhdon të jetë e përqendruar kryesisht në rajon.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor përbëjnë 46.3 përqind të gjithsej eksportit, me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë si destinacionet kryesore. Paralelisht, vendet e Bashkimit Evropian mbulojnë 32.6 përqind të eksportit, ku Gjermania mbetet partneri kryesor brenda këtij grupi. Kjo strukturë tregon një varësi të konsiderueshme nga tregu rajonal, ndërsa ekspozimi ndaj tregjeve më të zhvilluara evropiane mbetet i rëndësishëm, por ende më i kufizuar”, thuhet në raport.
Bilanci i shërbimeve në TM1 2026 arriti në 480.6 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 18.2 përqind (grafiku 15).
BQK njofton se eksporti i shërbimeve arriti në 852.1 milionë euro, duke shënuar rritje prej 17.2 përqind, mbështetur kryesisht nga shërbimet e udhëtimit, të cilat u rritën me 10.6 përqind dhe arritën vlerën prej 551.7 milionë euro.
“Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe shërbimet kompjuterike, informative dhe të telekomunikacionit, të cilat shënuan rritje prej 24.6 përqind dhe arritën në 112.6 milionë euro. Nga ana tjetër, importi i shërbimeve arriti në 371.5 milionë euro, duke shënuar rritje prej 15.8 përqind. Brenda kësaj kategorie, importi i shërbimeve të udhëtimit u rrit me 16.0 përqind, ndërsa ai i transportit me 45.8 përqind”, thuhet në raport.
Konsumi publik shënoi rritje prej 16.5 për qind, pas rënies prej 9.3 për qind në TM1 2025, duke kontribuar me 2.5 pikë përqindje në rritjen ekonomike. Kjo rritje reflekton në masë të konsiderueshme ndikimin e pagesave të njëhershme të realizuara për punonjësit e sektorit publik. Si rezultat, konsumi publik kompensoi në masë të madhe dobësimin e konsumit privat, duke bërë që konsumi i përgjithshëm të kontribuojë pozitivisht me 1.6 pikë përqindje në rritjen ekonomike./RTK