Inflacioni vjetor në Eurozonë rritet në 2.9 për qind në korrik

Inflacioni vjetor në Eurozonë rritet në 2.9 për qind në korrik

Ekonomia July 31, 2026 - 17:22

Inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit në Eurozonë u rrit në 2.9 për qind gjatë korrikut, nga 2.8 për qind sa ishte në qershor, sipas vlerësimit paraprak të publikuar nga Eurostat.

Rritjen më të madhe vjetore ndër komponentët kryesorë e shënuan çmimet e energjisë, të cilat u rritën me 10 për qind, pas një rritjeje prej 8.5 për qind në qershor, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Inflacioni i shërbimeve u rrit në 3.3 për qind, nga 3.2 për qind një muaj më parë, ndërsa inflacioni i mallrave industriale joenergjetike arriti në 0.9 për qind, nga 0.7 për qind.Nga ana tjetër, rritja vjetore e çmimeve të ushqimeve, alkoolit dhe duhanit u ngadalësua në 1.2 për qind, krahasuar me 1.5 për qind në qershor.

Inflacioni bazë, i cili nuk përfshin energjinë, ushqimin, alkoolin dhe duhanin, u rrit në 2.5 për qind, nga 2.4 për qind në qershor.

Në baza mujore, çmimet e konsumit në Eurozonë u rritën me 0.2 për qind gjatë korrikut./rtk