Qytetarët të ndarë për çmimet e pemëve dhe perimeve – disa ankohen, të tjerë shohin stabilizim
Rritja e çmimeve të pemëve dhe perimeve vazhdon të mbetet një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve, megjithëse ata kanë mendime të ndryshme.
Disa prej tyre ankohen për koston e lartë dhe cilësinë e dobët të produkteve, ndërsa të tjerë vlerësojnë se çmimet janë stabilizuar me daljen e prodhimeve vendore.
Qytetari Osman Kadriu tha se ka një rritje të madhe të çmimeve krahasuar me të ardhurat, ndërsa u ankua edhe për cilësinë e produkteve.
“Ka ndërrim të madh të çmimeve, në krahasim me të ardhurat që i marrim, p.sh., si pensioner që jam, me të vërtetë janë shtrenjtë, por le që janë shtrenjtë, po edhe kualiteti është i dobët, domethënë kualiteti s’i plotëson ato për sa para jepen. Tani duhesh të ecësh në tërë tregun për ta gjetur një domate të mirë, ose një spec të mirë, se të gjithë sjellin prej jashtë, ne rrimë, po flemë”, tha ai.
Ai tha se rritja e çmimeve prek veçanërisht kategoritë me të ardhura të ulëta.
“Normal ndikon, fatmirësisht që nuk varem prej pensionit, punojnë edhe fëmijët, nga pak gjinden njerëzit. Mirëpo, nuk është ta shohësh vetëm veten, po t’i shohësh një kategori të njerëzve që s’kanë të ardhura, presin një ndihmë sociale, ose një pension, çfarë të iu bësh atyre, ajo është një kategori e madhe, një pjesë e madhe e popullit”, u shpreh ai.
Pavarësisht çmimeve, ai tha se vazhdon t’i blejë produktet.
“I blej, edhe pse kushtojnë pak më shtrenjtë, nuk kursehem”, tha ai.
Ndërsa qytetari Isa Fetahu tha për Ekonominë Online se nuk ka vërejtur rritje të çmimeve dhe se ato janë më të arsyeshme se më parë.
“Jo, përkundrazi, unë bash po mendoj edhe pse tani dola në treg, se janë disa çmime pak më të arsyeshme se deri tani, me siguri janë edhe prodhimet vendore kanë filluar, p.sh., 1 euro një pjepër nuk besoj që mund të thotë dikush derisa është bërë 2 euro një kafe. Kështu që unë nuk po e vërej që është ndonjë rritje”, tha ai.
Sipas tij, në treg mund të gjendet cilësi në varësi të çmimit.
“Ka cilësi, normalisht, çfarë të kërkosh edhe gjen, për atë ekziston edhe tregu, është edhe cilësia, edhe çmimi, si ta paguash edhe e merr cilësinë”, tha ai.
Ai shtoi se nevojiten më shumë investime në prodhimin vendor për të ulur varësinë nga importi.
“Nëse ne nuk merremi me prodhimet vendore, çka nuk po duam të prodhojmë se s’po duam të punojmë, të gjitha vijnë prej importit, normalisht që na ndikon importi, do të jenë edhe më lartë. Nëse pak i kushtojmë më tepër rëndësi bujqësisë, jo veç me fol, po disa investime, atëherë besoj ishte dashur të jenë më lirë, nëse asgjë tjetër, bile së paku me qenë kualiteti më i mirë”, u shpreh ai.
Kurse Adem Ollaqi tha se nuk ka vërejtur dallim të madh në çmime.
“S’po dallojnë, njëjtë. Para dy jave kur kam qenë, 10 centë, 15, 20 centë, aty po luajnë, 30, 50, varësisht prej tregtarit”, tha ai.
Ai vlerësoi se çmimet janë të arsyeshme, duke marrë parasysh vështirësitë e prodhimit.“Mirë, nuk ka vërejtje. Të arsyeshme normal, me punuar speca, domate, vërshimet që po bëhen, vjen një ujë e shkon, atëherë reale është, punë e vështirë, por paguhet”, u shpreh ai.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se indeksi i përgjithshëm i çmimeve të produkteve bujqësore është rritur për 6.3 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025.
Sipas ASK-së, rritjen më të madhe e kanë shënuar prodhimet bimore, çmimet e të cilave janë rritur për 10 për qind në baza vjetore.
Ndërkohë, çmimet e prodhimeve blegtorale janë rritur për 2.9 për qind.