Haxhiu në Festivalin Ndërkombëtar të Domates: Bujqësia është shtyllë e rëndësishme e ekonomisë
U.D. e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të 17-të të Festivalit Ndërkombëtar të Domates në Mamushë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu tha se bujqësia mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë së vendit, duke theksuar se çdo hektar i punuar dhe çdo prodhim që arrin te konsumatori kontribuon në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Ajo vlerësoi punën dhe përkushtimin e fermerëve, familjeve të tyre, grave dhe të rinjve, të cilët, sipas saj, kanë bërë që Mamusha të njihet për cilësinë e prodhimeve bujqësore.
Haxhiu u shpreh se Festivali Ndërkombëtar i Domates duhet të vazhdojë të jetë një urë lidhëse mes prodhuesve, bizneseve dhe qytetarëve, duke promovuar vlerat e bujqësisë dhe potencialin e vendit.
Në fund, ajo u uroi fermerëve një sezon të mbarë, prodhim të bollshëm dhe treg të sigurt, duke shprehur bindjen se domatja e Mamushës do të vazhdojë të zgjerojë praninë e saj në tregje dhe ta promovojë edhe më tej emrin e kësaj komune për cilësinë dhe traditën e saj.